Shëndetësi

Roli i vitaminës D për rënien në peshë, ushqimet ku mund ta gjeni

Njerëzit mbipeshë, që kanë një akumulim të përqendruar të dhjamit në zonën përreth belit, janë më të rrezikuar nga mungesa e vitaminës D.

Gjetjet e një studimi, të cilit i referohet AgroWeb.org, nënvizuan rolin e dëmshëm të mbipeshës në shëndetin e njeriut.

Mungesa e vitaminës D reflektohet në dendësinë kockore, por edhe rrit rrezikun për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, imunitetit dhe zemrës.

Ekspertët thonë se ka një lidhje shumë të fortë mes akumulimit të yndyrave në zonën abdominale me nivelet e ulëta të vitaminës D.

Mbipesha dhe vitamina D

Sipas të dhënave të studimit, burrat obezë kanë më pak vitaminë D në organizëm.
Nga ana tjetër, tek femrat mbipeshë, dhjamosja e mëlçisë është ajo që luan rol të fortë në uljen e nivelit të vitaminës D në organizëm.

Burimet e vitaminës D

Njeriu e merr pjesën më të madhe të vitaminës D nëpërmjet rrezeve të diellit. Kur këto rreze, sidomos ato të mesditës, bien në kontakt me lëkurën, nxisin prodhimin e vitaminës D.

Njerëzit që jetojnë në vende me klimë të ngrohtë, përfitojnë më shumë vitaminë D.

Vitaminën D mund ta gjeni në këto ushqime siç janë:

Qumështi

Drithërat

Salmoni

Peshku ton

Skumbria

Vaji i papërpunuar i peshkut

Vaji i mëlçisë së merlucit

Ngrënia e këtyre ushqimeve, shkakton një sërë reagimesh pozitive në mëlçi dhe veshka. Këto organe e transformojnë vitaminën D në formën e përshtatshme për organizmin.

Sa vitaminë D duhet të marrë një i rritur?

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, në përgjithësi, të rriturit duhet të konsumojnë 600 njësi të vitaminës D në ditë, pra rreth 15 mikrogramë.

Të moshuarit mbi moshën 70 vjeç duhet të konsumojnë 800 njësi të kësaj vitamine në ditë, pra rreth 20 mikrogramë.

Pasojat e tjera të mungesës së vitaminës D

Mungesa e zgjatur e vitaminës D shkakton çrregullime të masës minerale të kockave dhe fraktura tek fëmijët dhe të rriturit.

Mungesa e kësaj vitamine, nxit problemet me kockat, muskujt dhe shkakton dhimbje të gjymtyrëve.
Pamjaftueshmëria e vitaminës D mund të kontribuojë edhe në shfaqjen e osteoporozës.
Studime të shumta e kanë lidhur mungesën e vitaminës D me depresionin, sëmundjet e zemrës, çrregullimet imunitare, infeksionet dhe shtimin e qelizave të dëmshme.

Shkencëtarët thonë se mungesa e kësaj vitamine nuk i shkakton këto sëmundje por është një nxitës biologjik për disa procese inflamatore të lidhura me sëmundjet.