Një gazetë që ilustron disa nga personat që ndodheshin në Titanik është zbuluar në një dhomë gardërobe të një shtëpie në Angli pas më shumë se një shekulli.
Pasojat e tragjedisë, ku humbën jetën më shumë se 1500 njerëz kur anija u mbyt në prill 1912, janë kapur në mënyrë tronditëse në fotot e paraqitura në gazetën 112-vjeçare.
Faqja e parë e gazetës britanike “The Daily Mirror” e datës 20 prill 1912, tregon dy gra në Southampton, qyteti nga ku u nis Titaniku duke pritur që të postohet një listë e të mbijetuarve.
“Një nga mijëra tragjeditë që e bënë Titanikun më të tmerrshmen në historinë e botës”, thotë titulli i gazetës.
Kur RMS Titanic nisi lundrimin më 10 prill 1912, ajo ishte anija më e madhe e pasagjerëve në shërbim dhe konsiderohej si “e pathyeshme”. Vetëm katër ditë më vonë, udhëtimi i parë i Titanikut u shndërrua në një tragjedi ndërkombëtare kur anija goditi një ajsberg në Atlantikun e Veriut në orën 23:40 të 14 prillit. Anija, e cila u mbyt në më pak se tre orë, nuk kishte mjaft varka shpëtimi për rreth 2220 persona në bord.
/rtsh.al/