Lajme

Oficerët e FSK-së për herë të parë po ndjekin Kursin Bazik të Këmbësorisë

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se për herë të parë Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur organizimin e Kursit Bazik të Oficerëve të Këmbësorisë në Shkollën e Oficerëve të Akademisë të Mbrojtjes.

Sipas njoftimit, ky kurs do të zhvillohet në Kampin e Vrellës dhe për mision ka  trajnimin e zhvillimin e oficerëve të këmbësorisë për të qenë të përgatitur psiqikisht, fizikisht dhe moralisht për të udhëhequr njësi të këmbësorisë.

“Për herë të parë Forca e Sigurisë së Kosovës po organizon Kursin Bazik të Oficerëve të Këmbësorisë në Shkollën e Oficerëve të Alademisë të Mbrojtjes.Bazuar në prioritetet e KOMFSK-së për zhvillimin e programeve të shkollimit, Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë brenda vendit po organizon Kursin Bazik të Oficereve të Këmbësorisë (KBOK) në Shkollën e Oficerëve të Akademisë së Mbrojtjes. Ky kurs ka për mision që të trajnojë dhe zhvillojë oficerë të këmbësorisë për të qenë të përgatitur psiqikisht, fizikisht dhe moralisht për të udhëhequr njësi të këmbësorisë”, thuhet në njoftim.

Kursi do të zgjasë 13 javë përgjatë të cilave oficerët e rinj do të trajnohen për aftësi taktike të avancuara të këmbësorisë, ndërsa manovrimi taktik, sinkronizimi i aseteve te këmbësorisë së lehtë, përgatitja fizike, dhe zjarri preciz me armët e këmbësorisë së lehtë, do të jenë detyrat kryesore që do të ekzekutohen.

“KBOK është kurs 13 javor që trajnon oficerët e rinj për aftësi taktike të avancuara të këmbësorisë dhe të udhëheqjes në fushëbetejë; vlerëson potencialin e udhëheqjes dhe kualifikon kandidatët për udhëheqje në fushën e këmbësorisë.Detyrat kyçe që do të ekzekutohen gjatë këtij kursi janë: manovrimi taktik, sinkronizimi i aseteve te këmbësorisë se lehtë, përgatitja fizike, dhe zjarri preciz me armët e këmbësorisë së lehtë”, theksohet tutje në njoftimin e MB.

Ky kurs është vizituar edhe nga ministri Maqedonci së bashku me komandantin e FSK-së, gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari.

“Kursi po mbështetet nga ekipet amerikane të Organizata për Asistencë Ushtarake të Trajnimeve Mobileve e Ushtrisë Amerikane (SATMO) ndërsa tash e tutje do të organizohet çdo vit në kuadër të planit vjetor të trajnimeve”, bëhet e ditur në njoftim.