Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka ngritur disa pyetje publike për Qeverinë e Kosovës të cilat kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve.
Ai ka thënë se tash është mirë t’i kthehemi jetës në Kosovë, t’u kthehemi problemeve të cilat janë bërë të papërballueshme.
Postimi i tij i plotë:
I madh e i vogël në këtë vend është duke u marr me tema të sigurisë e tema të nivelit të lartë, pa pasur kurfarë dije e as njohurie për to. Tani, është mirë t’i kthehemi jetës në Kosovë, t’u kthehemi problemeve të cilat janë bërë të papërballueshme për funksionimin normal të mirëqenies së një familje.
Janë 5 pyetje që kërkojnë përgjigje shpejt.
1. Një javë para fillimit të vitit shkollor, kur do të dalin paratë për libra dhe a është gjithçka gati për vitin e ri shkollor? Asnjë përgjigje dhe qetësi nga MAShTI.
2. A do të përfundojnë para dimrit këto rrugë? A do të hyjmë në vitin 2025 me katrahurën e rrugëve që i lidhin Gjakovën, Gjilanin, Mitrovicën e Podujevën me kryeqytetin? Dhe, a do t’i rimbursoni mbi 2500 biznese të cilat janë para bankrotimit?
3. Kur do t’i rrisni pensionet? A po pritni për ta bërë këtë para fushatës zgjedhore? A e dini që Interlokutori i Kurtit në dialog, Vuçiq, ka njoftuar se nga 1 dhjetori 2024 do të rriten pensionet në Serbi. Ky i yni, jo vetëm që përmes dialogut nuk i ka kthyer mjetet e vjedhura nga Serbia, siç kishte premtuar gjatë kohës në opozitë, por i ka lënë pensionet në nivel të asistencës sociale, që nuk u ofron të moshuarve as mjete të mjaftueshme për trajtim shëndetësor!
4. A do të hiqni dorë nga kapja e institucioneve të pavarura dhe a do të ndaleni me sulmet e juaja, e më së keqi me kthyer RTK-në në organ partiak? Cili është kriteri për përzgjedhjen e tre anëtarëve tjerë të Bordit.
5. Kur do të kalojë Ligji për Sigurimet Shëndetësore? E di që për pagat në sektorin publik as që e keni në plan, as nuk do ta bëni kur ta sillni buxhetin e vitit 2025.
Përgjigjuni në këto pyetje e mos u mundoni të merreni me tema të mëdha, se sot për sot këto çështje janë interes qytetar e shtetëror.
Kthehuni në realitet, mos mashtroni, punoni najsend!./teve1.info/