Lajme

Mungesë e prodhimit të mjaltit në Kosovë

Ky vit ka përcjellur bletarët me mungesë të prodhimit të mjaltit. Kjo për shkak të mungesës së ushqimit për to, mirëpo edhe nga temperaturat e larta.

E nisi si pasion rritjen e bletëve.

Me vetëm pesë koshere, Xhemile Krasniqi u bë ndër gratë e para në Obiliq që filloi punën me bletari.

Ndërsa tani, pas tetë vitesh angazhim në këtë fushë, në kopshtin e saj ka mbi 30 koshere.

E kujdesi për to është maksimal.

Por pavarësisht kësaj, nga viti në vit ajo po hasë në vështirësi për rritjen e tyre.

Kjo për shkak të mungesës së ushqimit, por edhe temperaturave të larta.

“Jo veç gjatë këtij viti, por ka vite që po kemi vështirësi në prodhimin e mjaltit se ka mungesë të luleve, të shirave, ngritja e temperaturave të larta dhe njëkohësisht e ka edhe mungesën bleta që duhet mbjellë shumë lule nëpër ara tona”, shprehet Krasniqi.

E nga e gjithë kjo, pasojat janë të mëdha për vet bletarët.

“Edhe ne si bletarë mbasandaj kur ka mungesë të ushqimit për bletën, normal që kemi harxhime më shumë, është kosto shumë e madhe dmth se t’i ushqejmë me sherbet apo me pogaçe siç i themi ne por që është një kosto bajagi e naltë”, thotë ajo.

Megjithatë sipas Krasniqit, bletarët e komunës së Obiliqit marrin subvencione nga komuna.

Ndërsa kush ka më shumë se 30 koshere bletë, merr subvencion nga Ministria e Bujqësisë.

Se mbështetja ndaj bletarëve është jetike e thonë edhe nga komuna e Obiliqit.

“Komuna e Obiliqit me prioritet e ka mbjelljen e pemëve, të drunjëve, duke e pasë parasysh që kemi dy termocentrale dhe jemi një komunë e vogël dhe ajri është pak më i ndotur, me prioritet i kushton brezit të gjelbër, që edhe këto gra ta kenë sa më lehtë zhvillimin e aktivitetit të tyre”, tha Vlora Mjekiqi- Kabashi, kryesuese e Kuvendit Komunal në Obiliq.

Tëvë1 ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë se a është në plan rritja e subvencioneve për bletarët, mirëpo deri në publikimin e kronikës, nga ky institucion nuk është kthyer përgjigje.