Java nis me temperatura të larta. Meteorologu Hakil Osmani thotë se të hënën dhe të martën do të ketë maksimume temperaturash deri në 39 gradë ndërsa nga e mërkura e në vijim, pritet rënie graduale e tyre.
“Fillim java me temperatura të larta. Të hënën kemi maksimume në vlerën 39 gradë ndërsa e marta 38 gradë në Elbasan, Berat apo Gjirokastër. Me temperatura të larta mbetet edhe kryeqyteti, Shkodra apo Fieri, duke bërë që maksimumet të jenë sot në vlerat 38 gradë ndërsa të nesërmen 37 gradë. Sa i përket kushteve atmosferike, mëngjesi ka nisur me intervale të gjata me kthjellime por parashikohet që pjesa e dytë e ditës t’i bëjë vranësirat më të shpeshta, të fokusuara kryesisht në zonat jugore, dhe pjesërisht qendrore, me herë pas here për momente të pakta me pika shiu në zonat qendrore ndërsa në jug reshjet do të jenë më të dukshme. Në skajin lindor, pritet që të ketë rrebeshe afatshkurtra shiu. Duke filluar nga e mërkura dhe në vijim, pritet që vranësirat të jenë më të shpeshta, duke bërë që pasditeve të ketë mundësi të pakta me pika shiu në gjysmën lindore të territorit. Duke filluar nga e marta dhe në vijim, do të kemi rënie graduale të temperaturave duke bërë që deri të premten, maksimumet në rang territori të jenë në vlerat 35-36 gradë.”, tha ai.
Sa i përket rajonit, meteorologu shtoi:
“Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi në këtë fillim jave mbeten me vranësira të shpeshta, të cilat herë pas here do të pësojnë zhvillime të përkohshme duke krijuar mundësi për momente të pakta me reshje shiu. Në Kosovë më të dukshme do të jenë të martën ndërsa në MV pritet që të ketë rrebeshe afatshkurtra shiu ditën e sotme. Sa i përket temperaturave, maksimumet në Kosovë në këtë fillim jave regjistrohen në 33-34 gradë ndërsa në MV deri në 36 gradë. Nga e marta do të kemi rënie graduale të temperaturave edhe për vendet e rajonit.”, tha Osmani.