Lajme

Bajrami: Kosova është vendi më i varfër në Evropë pas Ukrainës

Deputetja e Kosovës nga rradhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka pohuar se Kosova është vendi më i varfër në Evropë pas Ukrainës e cila është tash e dy vjet në luftë.

Ajo ka kritikuar Qeverinë duke shkruar se nuk ka se si të jetë vendi ndryshe.

“Sipas World of Statistics, Kosova është vendi me i varfër në Evropë pas Ukrainës e cila tash e dy vjet e gjysmë është në luftë me Rusinë. S’ka si të jetë ndryshe, sepse që katër vite investimet kapitale si përqindje e buxhetit janë në nivelet me të ulëta në histori, çmimet janë me të lartat, prokurimi publik është negocim mes miqve, punësimi është nepotizëm, arsimi është dështim e menaxhim i krizave të krijuara nga vetë qeveria”, ka shkruar Bajrami.

Tutje, Bajrami ka pohuar se “nuk ka asnjë reformë fiskale, nuk ka asnjë reformë në ambientin e të bërit biznes, përkundrazi çdo ligj që rregullon çështjet ekonomike që e ke ndryshu qeveria është në kundërshtim me Kushtetutën, repsektivisht me nenin 10 të saj”.

Më tej, deputetja ka shkruar se është tepër shqetësuese që Kosova pavarësisht potencialit të saj është një nga vendet më të varfëra në Evropë, e dyta pas Ukrainës së shkatërruar nga lufta.

“Ky realitet i hidhur është rezultat i drejtpërdrejtë i dështimit të vazhdueshëm të qeverisë për të ndërmarrë reforma të rëndësishme ekonomike dhe për të krijuar një mjedis që nxit rritjen dhe zhvillimin e sektorit privat. Gjendja e sigurisë në vend, mungesa e koordinimit me aletatë sidomos për gjendjen e sigurisë, deklaratat e vazhdueshme për krim, korrupsion dhe potencial për luftë nga ana e krerëve të shtetit vetëm dëm i kanë bërë ekonomisë së vendit tonë”, ka thënë ajo.