Pavel Durov, ka hyrë në telashe me autoritetet në Rusi dhe në mbarë botën, dhe këtë fundjavë ai u arrestua në një aeroport afër Parisit mbi akuzat në lidhje me aplikacionin e tij të mesazheve Telegram.
Hetuesit francezë lëshuan një urdhër arrest për mashtrim, trafik droge, krim të organizuar dhe promovim të terrorizmit në platformën e tij.
Sipërmarrësi që njihet si ‘Zuckerbergu rus’ ka lindur në Shën Petersburg dhe është 39 vjeç.
Në moshën 22-vjeçare, ai lançoi median e tij të parë sociale, VKo
ntakte (VK), një platformë që u shërben përdoruesve në gjuhën ruse, e cila doli të ishte më e popullarizuar se Facebook në vendlindjen e tij, Rusinë.
Por ai u largua nga vendi në vitin 2014 pasi refuzoi të pranonte kërkesat e qeverisë për të mbyllur grupet opozitare në VK dhe për t’i dorëzuar të dhënat personale shërbimeve të sigurisë ruse, FSB. Kjo përfshinte një kërkesë për të bllokuar llogarinë e liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny.
Më vonë ai shiti VK-në dhe u shpreh: Më mirë të jem i lirë sesa të marr urdhra nga kushdo.
Në të njëjtën intervistë ai tha gjithashtu se nuk kishte asnjë pronë, si pasuri të paluajtshme dhe se pasuria e tij e vetme ishin paratë dhe Bitcoin.
Në vitin 2013, me vëllanë e tij Nikolai, ai lançoi Telegram, një platformë që pretendon se i jep përparësi mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve dhe konkurron me platformat e tjera të mediave sociale si ËhatsApp, Instagram, TikTok dhe ËeChat.
Shërbimi lejon këdo që të shkëmbejë video, foto dhe komente në të ashtuquajturat “kanale” ose grupe, por të dhënat e përdoruesit mbrohen me enkriptim. Durov gjithmonë ka refuzuar të moderojë mesazhet në Telegram, duke e promovuar atë si një platformë “falas”.
Në vitin 2018, një gjykatë në Moskë urdhëroi bllokimin e Telegram. Por ajo rezultoi e pasuksesshme pasi protestuesit rrethuan selinë e FSB-së, duke hedhur avionë letre, një simbol i Telegramit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, përdor Telegramin për të postuar video për luftën çdo ditë, dhe kanalet pro-Moskës të drejtuara nga të ashtuquajturit “Z-blogers” janë gjithashtu të njohura.
Megjithatë, Telegram është bërë gjithashtu një platformë për ekstremistët dhe teoricienët e konspiracionit. Grupet, të cilat lejojnë deri në 200,000 anëtarë, e kanë bërë më të lehtë përhapjen e dezinformatave dhe përfshijnë grupe neo-naziste dhe grupe për pedofilët.
Pas largimit nga Rusia, Durov mori nënshtetësinë në ishullin e Karaibeve, Saint Kitts dhe Nevis, pasi ai dhuroi 250,000 dollarë (223,000 €) për industrinë e sheqerit në vend, sipas raporteve të mediave ruse.
Në gusht 2021, atij iu dha nënshtetësia franceze. Rrethanat e marrjes së pasaportës franceze mbeten një mister dhe autoritetet franceze nuk e kanë komentuar kurrë atë.
Ai gjithashtu ka nënshtetësi të Emirateve të Bashkuara dhe jetonte në Dubai para arrestimit në Francë.
Durov vlerësohet të ketë një pasuri neto prej rreth 15.5 miliardë dollarë sipas Forbes, duke e bërë atë personin e 121-të më të pasur në botë.
I veshur gjithmonë me të zeza, Durov është një figurë paksa misterioze dhe rrallë jep intervista.
Megjithatë, ai poston në kanalin e tij në Telegram se bën jetë të vetmuar dhe nuk konsumon mish, alkool apo kafe.
Ai gjithashtu pohoi se është babai biologjik i më shumë se 100 fëmijëve falë dhurimeve të tij të spermës në një duzinë vendesh, duke e përshkruar këtë si një “detyrë qytetare”.
/tiranapost