Lajme

Forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në fushën e Sigurisë Korrektuese

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani sot ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Drejtorin e Burgjeve të Shqipërisë, Klevis Qose, Këshilltarin Global të ICITAP-it për Kundërterrorizëm, Bill Sage dhe Këshilltarin Rajonal për Njësitë e Inteligjencës Korrektuese, Frank Karam.

Gjatë këtij takimi, u diskutuan çështjet e sigurisë në institucionet korrektuese të të dyja vendeve, duke ndarë përvojat dhe praktikat më të mira në menaxhimin e burgjeve.

“Mbështetja e ICITAP-it u vlerësua lart nga të dyja institucionet, veçanërisht për themelimin e Njësisë së Inteligjencës Korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Kjo njësi ka arritur të rrisë ndjeshëm nivelin e sigurisë, duke u bërë një histori suksesi dhe një model i mirë për të gjithë rajonin”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.

Sipas njoftimit të ShKK-së, nga ICITAP-i janë indetifikuar pajisje të nevojshme të cilat do të sigurohen për ShKK-në.

“Të mbështetur nga ICITAP-i, tashmë janë identifikuar pajisje të nevojshme që do të sigurohen për SHKK-në, si: skanerë, kamera detektuese të telefonave, si dhe shumë pajisje të tjera të sigurisë, të cilat do të vijnë në Kosovë gjatë muajit tetor”, thuhet ndër të tjera./teve1.info/