Lajme

Plagosja e dy personave, Policia zbardhë detajet e fundit për rastet që tronditën Prishtinën

Dy persona kanë mbetur të plagosur nga armët e zjarrit, mbrëmë në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti i parë është regjistruar rreth orës 19:30.

Sot rreth orës 19:30, policia ka marrë informatën se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

Zyrtarja për informim nuk dha më shumë detaje për vendin e ngjarjes apo nëse është arrestuar dikush.

U bë e ditur se aktualisht hetuesit policorë të stacionit Veriu në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast i cili është cilësuar si “vrasje në tentativë”.

Ndërkaq, rreth orës 22:40, raportohet të ketë pasur gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Maliq Pashë Gjinolli”, në Prishtinë.

Edhe këtë rast e konfirmoi Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.

Për këtë rast, deri më tani ka një person të dyshuar që është arrestuar.

Zëdhënësja Ahmeti tha se menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person”, ka thënë Ahmeti.

Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore, dhe deri tani është arrestuar një person i dyshuar.