Lajme

Kurti – delegacionit danez: Kosova meriton anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ditën e sotme anëtarë nga delegacioni danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Përmes komunikatës për media është bërë e ditur se Kurti shprehu mirënjohjen për delegacionin dhe angazhimin e tyre aktiv në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në avokimin në përkrahje të Republikës së Kosovës.

“Ai rikujtoi votën pro në shumicë të përfaqësuesve nga Danimarka (4 nga 5) por edhe në total të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës – me 82 për qind të votave në favor – në prill të këtij viti, duke rekomanduar që Komiteti i Ministrave të ftojë Kosovën që të bëhet anëtare e plotë e organizatës. Kryeministri theksoi se ky rekomandim ishte një moment historik dhe i rëndësishëm, që reflekton përafrimin e Kosovës me standardet dhe parimet e Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim.

Mes tjerash është thënë se demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë tri shtyllat kryesore të Këshillit të Evropës në të cilat Kosova ka bërë progres të madh në rajon.

“Ai e njoftoi delegacionin me progresin në avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik dhe theksoi se nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfitojnë të gjithë qytetarët, sidomos komunitetet jo shumicë të cilat përfitojnë nga qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg. Nënvizoi suksesin e Kosovës në demokraci dhe socio-ekonomi përkundër përpjekjeve destabilizuese e agresive të Serbisë pro-ruse”.

Kurti tha se Kosova meriton anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, pasi që i ka përmbushur plotësisht standardet, kriteret, kushtet dhe parakushtet e nevojshme për anëtarësim të plotë në këtë organizatë.

Në këtë takim Kurti shoqërohej nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci. /teve1.info/