Lajme

Gecaj për vizitën e ndihmëssekretarit të NATO-s: Do të përcillen mesazhe më konkrete për çështjen e sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në mbledhjen e qeverisë bëri të ditur se të enjten për vizitë në Kosovë do të jetë ndihmëssekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s, Thomas Goffus.

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, i ftuar në emisionin “Rreth e Rrotull”, thotë se pas vizitave të shumta në Kosovë që kanë të bëjnë me mbrojtjen edhe kjo vizitë është e lidhur në aspektet e sigurisë në rajon.

“Kjo vizitë e ndihmëssekretarit të NATO-s, ai më saktësisht për cështje operacionale, është e një karakteri e rëndësie të vecantë, me siguri do të përcillen edhe mesazhe më konkrete sa i përket cështjes së sigurisë, nuk është më fjala për çështje diplomatike dhe politike, por për çështje ma konkrete që lidhën më ngushtë,” tha Gecaj.

Teksa shton se kjo vizitë mund të ketë disa arsye, ku sipas tij kjo mund të ketë lidhje edhe me luftën në Rusi e Ukrainë.

“Mund të jenë dy arsye pse janë në këtë kohë, njëra prej tyre ka të bëjë me zhvillimet e luftimeve në Rusi dhe Ukrainë, kemi kohët e fundit një përparim të dukshëm të forcave ukrainase në teritorin rus, kjo paraqet shqetësim edhe për situatën në Ballkan,” shtoi ai.

Ndërsa, shton se Rusia mund të tentojë t’i bëjë trysni Serbisë, për hapjen e një fronti të ri, ku Gecaj thotë që mundësi e veçantë shihet Kosova.

“Në këto situata Rusia sigurisht që tenton të bëjë një trysni më të madhe karshi Serbisë për të hap një front të ri në ballkan në përgjithësi, por si mundësi e vecantë shihet Kosova, prandaj edhe është ky fokus i angazhimeve të diplomatëve dhe përfaqësuesve të mbrojtjes e sigurisë, që të jipen direktiva të nevojshme dhe të ndikohet në parandalimin e një eskalimi të mundshëm në regjion,” ka thënë Gecaj.

“Jam i bindur që këto masa parandaluese të emisarëve qofshin politik, diplomatik apo ushtarak prej NATO-s, kanë për qëllim parandalimin e ndonjë eksesi të mundshëm që të mos vijë te ndonjë situatë që mund të vijë jashtë kontrolli.”