Lajme

“Xhafer Beiqi e Hasan Shahini më kanë torturuar shtazërisht”, Salih Sefa rrëfen për dhunën nga udbashët

Salih Sefa, ish-i burgosuri politik, ka ndarë një rrëfim emocional dhe të dhimbshëm për momentet e tmerrshme që përjetoi gjatë arrestimit dhe torturave të UDB-së. Ai përshkruan se më 22 shkurt 1984, pas një periudhe të gjatë tensioni dhe pasigurie, u arrestua dhe u dërgua në një dhomë të errët.

Në momentin e arrestimit, Sefa ishte i papërgatitur dhe i pambrojtur. Ai përshkruan se si udbashët Zymer Zymeri, Xhafer Beiqi dhe Hasan Shahini, e kapën dhe e dërguan në stacionin e policisë. Ai tregon se ishte i shqetësuar dhe i tmerruar kur e pa veten të kapur dhe të lënë të pambrojtur, të zbathur dhe të lidhur me forcë.

Vëllai i tij, që kishte mbetur i shokuar dhe i pafuqishëm, pa gjithçka nga afër. Sefa shprehet se momenti ishte aq traumatizues sa që imazhi i tij është i pashlyeshëm në kujtesën e tij.

Në stacionin e policisë, ai u lidh me një karrige dhe iu tha të prisnin për orë të tëra, deri në orën 11 të natës. Ndërkohë, torturat dhe dhimbjet që përjetoi ishin të padurueshme, duke e lënë të ndjehet tërësisht i pafuqishëm dhe të shkatërruar emocionalisht. Ky moment i tmerrshëm është një kujtim që Sefa mbart me vete dhe që ndikon thellë në ndjenjat e tij deri në ditët e sotme.

“Dal unë i shoh të mëdhenj, nuk i kisha parë më herët e dita që nuk janë shokët e mijë, nuk më kanë lënë të mbathem më kanë kap ashtu zbath, edhe më kanë shti pesë veta brenda. Vëllai mbeti duke më shikuar, figurën e Fatmir Sefës nuk do ta harroj kurrë. Ka qenë Zymer Zymeri një, ka qenë Xhafer Beiqi, Hasan Shahini, është nga fshati Keçekoll tash kam dëgjuar se është diku në Gjermani, të tretë këta më kanë arrestu vozitësi nuk e di kush ka qenë as këta mbrapa, por aq shpejt kanë vozitur, kanë hyrë neper oborr të pompës së benzinës edhe me shpejtësi të madhe, më pas kam dëgjuar Zymer Zymerin që nuk e disha kush ishte atëherë duke thënë a e keni marrë atë në Hajvali, atje ishte shoku im Hilmi Rafuna. Këta njerëz më kanë dërguar në stacion brenda në katin e dytë më kanë lidhur prej një karrige edhe më kanë than prit, kam ndenjur lidhur deri nga ora 11 të natës”, ka thënë ai.

Sefa rrëfen përvojat e tij të tmerrshme, se ndaj tij u përdorën metoda brutale për të shkaktuar dhimbje maksimale.

Ai ka folur për rrahjet e përditshme me shkopinj gome në duar, duke theksuar se sa e rëndë ishte kjo.

“Dita e dytë ishte më e rëndë sepse duart kishin filluar me u trash. Ata e dinin që rrahja në të njëjtin vend çdo ditë do të ishte më e rëndë… Kështu që kanë vazhduar katër ditë vetëm me duar. Mu bën duart, shokët duheshin me ma thy kafshatën se nuk mundesha”, ka thënë ai.

“Në mëngjes më kanë marrë pyetje, dhe për herë të parë qiky Xhafer Beiqi më ka ra mbas kresë shuplakë, i ka ndihmu Hasan Shahini, por jo shumë ma, pyetje përgjigje. Mbas darke më kanë marrë prapë, e kanë filluar menjëherë  me shkopinj gome duart, këta të dy Hasan Shaini edhe Xhafer Beiqi, ata dy kanë qenë kryesor për mu. Ndërsa Zymeri Zymeri, Lutfi Ajazi, Xhavit Kuqi ata ishin plus”, ka thënë tutje Sefa.

Ai gjithashtu ka përmendur se torturat nuk ishin vetëm fizike, por edhe psikologjike, duke përmendur faktin se nuk ia kishte thënë askujt, përfshirë familjen e tij, për të shmangur hakmarrjen.

“Këtë nuk ja kam thënë as babës e as nënës sime, e as gruas dhe fëmijëve të mijë, sepse ndoshta jam frikësuar që mos të krijohet hakmarrje. Këta më këtë dhunë shtazarake, dhunë çmendurie unë nuk e di çfarë kanë menduar ata. Por ka qenë edhe një mjerim tjetër, ka ndodhë kur më kanë marrë në pyetje kemi biseduar për çfarë kam dashur, ka pasur moment kur ish-futbollisti i flamurtarit Misha që ka qenë inspektor edhe e ka ditur fliste gjuhën shqipe si e hapke ai derën këta të dy u qojshin si knujsi edhe nuk lejshin kund vend pa të ra vetëm për me pa serbi se çka iu bën shqiptari shqiptarit, tradhti vëllezërish çka është tjetër kjo, pse mos të quhet kështu”, ka deklaruar ai.