Lajme

Ekspertët e sigurisë “zbërthejnë” mesazhin e vizitave të ndërkombëtarëve – zbulojnë nëse Kosova është në rrezik!

Siguria në Kosovë dhe rajon po vazhdon të jetë e brishtë, kjo për shkak të mundësisë për destabilizim nga Serbia në bashkëpunim me Rusinë.

Që nga sulmi në Banjskë provokimet  e kërcënimet me destabilizim janë të mëdha.

E së fundmi në Kosovë erdhi për vizitë shefi i CIA-s, William Burns.

Natyrisht që kjo vizitë arriti të jetë krye – tema për disa ditë, ndërsa u theksua mbështetja e SHBA-së ndaj Kosovës.

E pas Burns gjatë ditës së djeshme komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas është takuar me komandantin e Komandës së Forcës së Përbashkët Aleate të Napolit, admiralin Stuart B. Munsch.

Me të, Ulutas foli për mbështetjen e sigurisë në Kosovë dhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë

“Sot, Komandanti i misionit të #KFOR-it të udhëhequr nga #NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutas, u takua me komandantin e Komandës së Forcës së Përbashkët Aleate të Napolit, admiralin Stuart B. Munsch, në selinë e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë. Gjeneralmajor Ulutas ilustroi aktivitetet e FOR në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe mbështetjen e saj në dialogun e lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftim.

A nënkupton ky takim, sikurse edhe vizita e shefit të CIA-s ditë më parë, se situata e sigurisë në Kosovë me të vërtetë është në rrezik destabilizimi dhe koordinimi me aleatët NATO-n dhe KFOR-in parandalojnë çfarëdo eskalimi?

Elezi: I gjithë fokusi të sigurisë ndërkombëtare janë tek krijimi i kushteve për parandalimin e destabilizimit

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Ai thotë se vizitat e shpeshta të ndërkombëtareve të sigurisë janë treguar që Rusia po punon për ta destabilizuar Ballkanin dhe se NATO e KFOR janë gati për të u përballur me këto lëvizje.

“Shpeshtimi i vizitave të ndërkombëtarëve të sigurisë, siç janë në rastin e fundit, Burns dhe Munsch, janë veprime konkrete të sigurisë dhe krejt këto veprime bëhen për të parandaluar që Rusia është duke bërë për të destabiluzar Ballkanin. Siç e dimë që Rusia ka plane për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe kjo sjellë që ndërkombëtarët të jenë të fokusuar në ruajtjen sigurinë e rajonin. Vet fakti të lëvizjes së kapaciteteve të sigurisë në këtë rast të trupave ushtarake të KFOR-it janë tregues të qartë që Serbia mund të ballafaqohet seriozisht me NATO-n dhe eventualisht me zhvillimet e fundit duhet të ndërmerren masa ndaj këtyre veprimeve”, u shpreh ai.

Më tej, Elezi thekson që ndërkombëtarët tashmë janë në fokus për të ofruar një garanci të sigurisë në gjithë Gadishullin Ballkanik.

“Me një fjalë i gjithë fokusi të sigurisë ndërkombëtare(NATO, KFOR) janë tek krijimi i kushteve për parandalimin e jo-sigurisë andaj këto lëvizje janë tregues të Serbisë se KFOR dhe NATO është vërtetë i përkushtuar që të i ofroj garanci sigurie Gadishullit Ballkanik e sidomos në zonat e përgjegjësisë së saj, siç është Kosova”, shpjegoi eksperti.

Ndër tjera, ai nënvizon që vizita e Burns dhe Munsch janë garanci të sigurisë në Kosovë.

“Ne mund të themi që edhe vizita e admiralit ka të bëjë me çështjet operative ose aprovimin e planit të ri të KFOR-it për të ofruar komponentët koherente që janë pjesë operative të NATO-s e që zbatohen nga KFOR-i për garanci sigurie në territorin e Kosovës e sidomos në ato pjesë ku janë më të rrezikuara”, foli Elezi për “Bota sot”.

Halimi: Vizita e shefit të CIA-s, William Burns nuk duhet të merret si një gjë negative

Ndërsa, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se vizita e Burns nuk duhet të shihet si një vizitë negative, pasi mesazhi nuk është ashtu.

Sipas Halimit, CIA merret me interesa nacionale dhe se shpreson që vizita e tij në Kosovë të shërbej edhe për ndonjë planë zbatimi të sigurisë në vend.

“Vizita e shefit të CIA-s, William Burns nuk duhet të merret si një gjë negative pasi që Kosova nuk i frikësohet vizitave të amerikanëve, përkundrazi ne i gëzohemi këtyre vizitave dhe nuk do të thotë që ka qenë mesazhi ‘blancko’ në secilin shtet që ka vizitu. Me gjasë dikujt i ka dhënë të drejtë, dikujt planë si duhet të zbatohen aspiratat e vendit, shpresoj të jetë ashtu edhe për Kosovën, për të i treguar se si të mos gaboj, përndryshe CIA mund të na shërbej neve si mësim përderisa SHBA e marrim model për do gjë që interesat nacionale duhet të zhvishen nga animet politike. E CIA nuk njeh anime politike, ai sheh vetëm interesa nacionale”, foli ai.

Në fund, për sa i përket vizitës së Munsch, ai thotë që vjen si mesazh që të mos provohet të ndezët ndonjë konflikt.

“Ndërsa vizita e admiralit sigurisht që vije si mesazh mos të provohet të ndezët ndonjë konflikt, duke bërë me dije se Kosova është nën mbrojtjen e NATO-s, e veçanërisht SHBA”, përfundoi Halimi për “Bota sot”