Lajme

“Blofi” i madh i Francës me armatosjen e Serbisë! Profesori tregon pse Parisi do t’i mbështesë të gjitha “apetitet” e Beogradit në Kosovë

Të enjten në mbrëmje Serbia nënshkroi me Francën marrëveshje për blerjen e avionëve ushtarakë francez “Rafale”.

Kjo ndodhi në nisje të vizitës dy ditëshe të Presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd.

Marrëveshja me vlerë prej 3 miliardë eurosh sipas zyrtarëve francez është pjesë e strategjisë më të gjerë për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron vizitoi Beogradin me qëllim të afrimit të Serbisë me perëndimin dhe shkëputjes së saj nga Rusia.

Por, ndërsa Serbia po armatoset nga Franca, Kosova vazhdon të përballet me sanksione dhe qortime të njëpasnjëshme nga perëndimi për shkak të përpjekjeve të saj për ushtrim të sovranitetit në pjesën veriore.

Por, përse Franca po e armatos Serbinë? Lidhur me këtë për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi.

Sipas profesorit, duket qartë se Franca e dëshiron Serbinë në anën e saj, në rast të ndonjë konflikti të përbotshëm.

Image
Enver Bytyçi

Emmanuel Macron e përfundoi vizitën e tij në Serbi dhe nënshkroi në Beograd disa marrëveshje tregtie e bashkëpunimi midis të dy vendeve. Biznesi më lukrativ ishte shitja e 12 avionëve francezë Raffale për ushtrinë serbe. Çmimi i shitjes ishte jo më pak se tre miliard euro dhe kjo do të thotë shumë për ekonominë franceze dhe buxhetin e këtij shteti. Por jo vetëm kaq. Serbia bleu nga kompanitë franceze gjithashtu helikopterë Atibus në vlerë prej 105 milion euro, si dhe 18 raketa kundërajrore Mirsal, çmimi i të cilave nuk është bërë i njohur.  Por u bë e ditur se dy avionë transportues C 295, të cilët u blenë nga Serbia, kushtojnë 66 milion euro. Kurse 15 milion euro i përfiton Franca për trajnimin e forcave ushtarake të Serbisë për përdorimin e këtyre mjeteve ushtarake.

Pse po e armatos Franca Serbinë? Publikisht thuhet se Macron synon se me këto shit-blerje ushtarake ta shkëpusë Beogradin nga ndikimi i Rusisë dhe ta integrojë atë në Bashkimin Evropian. Madje presidenti francez “shpreson” shumë se kjo do të ndodhë. Në fakt duket qartë se Franca e dëshiron Serbinë në anën e saj, në rast të ndonjë konflikti të përbotshëm. Që do të thotë se nëse nis një Luftë e re Botërore ose evropiane, atëherë Franca nuk llogarit në një aleancë të përbashkët evropiane, por në një aleancë tradicionale, bazuar në interesa nacionale dhe jo evropiane”, ka thënë ai.

Më tej, profesori ka shpjeguar pozitën gjeopolitike të Francës në raport me vendet e tjera evropiane, nduke shpjeguar përse presidenti Emmanuel Macron ndjehet i pasigurt në rastin e një konflikti të përgjithshëm.

Nëse shohim se çfarë përfaqëson Evropa sot në raport me botën, atëherë shohim se nga gjashtë Fuqi aktuale të Mëdha të këtij kontinenti, tri (Gjermania, Franca dhe Italia) janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe tri fuqi të tjera (Britania e Madhe, Rusia dhe Turqia) janë jashtë këtij Unioni. Por kjo nuk do të thotë se tri të brendshmet e po ashtu tri të jashtmet janë së bashku. Duket qartë se Rusia kësaj radhe, ndryshe nga Lufta e Dytë Botërore, në vend të jetë aleate, është armike e Europës. Turqia ka lidhje më të ngushta me Britaninë e Madhe sesa me Francën. Ndërkohë ruan një ekulibër me Rusinë. Po ashtu Britania e Madhe ka lidhje më të ngushta me Berlinin, sesa me Parisin. Kësisoj Emmanuel Macron ndjehet i pasigurt në rastin e një konflikti të përgjithshëm.

Në këto kushte atij i bëjnë punë edhe aleatë të vegjël, si Serbia. Por ende nuk dihet nëse aleanca ushtarake Francë-Serbi e konfirmuar të enjten e shkuar synon të formësohet në favor të Rusisë, apo për ta shkëput Beogradin nga Moska. Macron thotë se synon këtë të fundit. Por nuk mund të merret shumë seriozisht “kjo shaka” e presidentit francez. Ai e di se Serbia nuk shkëputet dot nga Rusia. Në vizitën e kaluar, në prill, që Vuçiq bëri në Paris, Macron i kërkoi presidentit serb që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Kësaj radhe “harroi” ta ribëjë këtë këerkesë. Supozohej se avionët luftarakë Raffale nuk do t’i shiteshin Serbisë, nëse kjo nuk vendos sanksione kundër Rusisë. Por ja që ndodhi ajo që nuk u parashikua”, ka nënvizuar profesori.

Bytyçi potencoi faktin që Franca armatos një vend agresor, duke e konsideruar si “bllof” arsyetimin se kjo u bë me qëllim që Serbia të mos detyrohet të armatoset nga Rusia e Kina.

Franca armatos një vend agresor, si Serbia, e cila kërcënon së paku tri ose katër vende të Ballkanit Perendimor me cënimin e integritetit dhe sovranitetit të tyre territorial, përkatësisht kërcënon Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe deri diku edhe Maqedoninë e Veriut. Pra të gjitha vendet jo anëtare të BE-së të rajonit tonë, përveç Shqipërisë. Shqipërinë e ka kafshatën më të lehtë për ta shndërruar në koloni pa patur nevojë të dërgojë ushtri. Dhe duket qartë se edhe njëherë në histori Shqipëria do të rilindë për shkak të rezistencës së Kosovës.

Nga ana tjetër ka nga ata analistë që thonë se Franca e armatos Serbinë, me qëllim që presidenti dhe qeveria serbe të mos detyrohen të armatosen nga ana e Rusisë dhe e Kinës. Por ky argument është një bllof i madh. Serbia nuk rrezikohet nga asnjë vend i saj fqinjë. Nuk rrezikohet nga pikëpamja territoriale as nga miqtë e as nga ish-armiqtë e saj. Pra as nga Lindja, as nga Perendimi. Pse duhet që ajo të shpenzojë kaq shumë për ushtrinë dhe armatimin? Sepse ajo synon që me fuqinë e vet ushtarake të imponojë jetësimin e programeve të veta për krijimin e Serbisë së Madhe. Kjo taktikë buron nga modeli i Rusisë. Rusia është trokë nga pikëpamja ekonomike, mirëqenis dhe ajo demografike. Por e tremb botën për shkak të forcës ushtarake e sidomos të asaj nukleare. Të njëjtën gjë synon Aleksandër Vuçiq, të trembë fqinjët e saj me fuqinë ushtarake të Serbisë, gjë për të cilën po e ndihëmon Emmanuel Macron haptas”, është shprehur profesori.

Sido që të jetë, pro apo kundër Rusisë, sipas Bytyçit, Franca synon që në një luftë të re që duket në horizont, Serbinë ta ketë aleate të saj të padiskutueshme.

Për këtë arsye Parisi do të mbështesë të gjitha apetitet e Beogradit në Kosovë. Ndaj Fuqitë Perendimore duhet ta kërkojnë shkakun e konfliktit në Ballkanin Perendimor jo vetëm te Serbia, por edhe të Franca e Emmanuel Macron!”, përfundoi ai.