Lajme

Viti i ri shkollor, disa prindërve nuk u janë ekzekutuar paratë për libra

Kanë mbetur edhe pak ditë që nxënësit e Kosovës t’i drejtohen dyerve të shkollave.

Përgatitjet për mjete dhe libra shkollor kanë mbetur veprimet e fundit për tu kryer nga nxënës e prindër të tyre.

Praktika e subvencionimit që këtë vit është hera e dytë që po ndodh vazhdon të mos i pëlqej disa prej prindërve të vendit.

Trendelina Maloku nga Peja po thotë se ngarkesa që po krijohet nëpër librari në të kaluarën nuk ka ekzistuar.

Në ndërkohë, përmend që Ministria nuk ka definuar akoma se cilat libra plotësisht i duhen.

“Në ato libra çka ka njoftu ministria, na ka njoftu përmes grupit e në ato libra që është e paqartë e pavendosur, na kanë thënë për mos me i marr”, tha ajo.

Pavarësisht kësaj, entuziazmi i kthimit në banka shkollore nuk mungon tek nxënësit.

“Tash hy në klasë të tetë dhe është kënaqësi me u kthy në shkollë, na ka mungu shumë shoqëria, kujdestarja, arsimtarët”, tha nxënësja e klasës se tete Ermela Sefaj.

Një problematikë tjetër e ka hasur Afërdita Krasniqi, nëna e një vajze.

Ajo pavarësisht që ka aplikuar për subvencionim, librat i bleu me paratë e saj.

“unë vajzën e kam në klasën e parë tash dhe të gjitha librat 53 euro e 30 cent kushtuan dmth me pare të mijat, parat e ministrisë pop resin të na dalin në të ardhmen”, tha ajo.

Televizioni ka pyetur Ministrinë e Arsimit për raste të tilla dhe kur pritet që të hollat të ekzekutohen përfundimisht por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndërkohë, probleme të tilla nuk ka Remzi Osmani. Ai i bleu librat me paratë e Ministrisë.

“nëse behet pagesa nga Ministria, ti veç vjen edhe i merr libra. Po, te hollat me janë ekzekutuar menjëherë. 120 euro për ciken që e kam në klasë të tetë” , tha ai

Këtë vit për nxënësit nga klasa e 1-5 janë subvencionuar me nga 80 euro, ndërsa nxënësit nga klasa 6-9 me nga 110 euro.