Lajme

“Kurti-CIA 1-0!”. Analisti zbërthen lëvizjen e befasishme të KFOR-it

Për Dritëro Arifin është e habitshme se si Albin Kurti po vazhdon të kundërshtojë i pashqetësuar partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, si në rastin e hapjes së urës së Ibrit.

“Befasohem me SHBA, kur një superfuqi lejon një vend kaq të vogël që të kundërshtojë politikat gjeopolitike perëndimore, është tepër e çuditshme”, tha Arifi në një intervistë me Erion Dushin në Ditarin e fundjavës në A2 CNN. “Do të kisha thënë 1 për Kurtin, 0 për CIA-n. Sepse CIA ishte këtu para një jave dhe Kurti i dha një “shuplakë” CIA-s.

Arifi shtoi se këto do të jenë deklarimet e fundit. “Nuk besoj se do të ketë më deklarime se po dalin komik dhe të pafuqishëm nëse ka vetëm deklarime. Sot, e pamë një veprim, që nuk pati paralajmërim. Për herë të parë KFOR-it nuk paralajmëroi për një ushtrim. Kjo është shenjë e tregimit të forcës dhe fuqisë, politike e ushtarake dhe besoj që nëse qeveria vazhdon me këto veprime do të ketë masa të paparalajmëruara. Nuk besoj se do të ketë më paralajmërime sepse i bie që fuqia e SHBA-së është zero atëherë”.

Arifit shtoi se Kosova është e pavarur për shkak se Perëndimi ka dashur ta bëjë të pavarur. Por, sipas tij, politika e jashtme përveç interesave kërkon edhe balancë, prandaj Perëndimi kërkon ta fusë Serbinë nën ombrellën e saj dhe të NATO-s. “Vendet e vogla janë të destinuara të dështojnë nëse nuk kanë një vëlla të madh”, tha Arifi.

“Interesat ekonomike të Perëndimit janë që Serbia të bëhet pjesë e Perëndimit. E di që sot mund të duket e paimagjinueshme, por herët a vonë do të ndodhë. Çdo marrëveshje që nënshkruan Serbia me Perëndimin e largon edhe më shumë nga ndikimi rus dhe kinez”.