Një heshtje shurdhuese plot akuza është gjithçka që ka mbetur nga marrëdhënia midis princave William dhe Harry, dikur – një kohë që shumë e kujtojnë ende me një psherëtimë melankolike – vëllezër të pandarë. Lidhja e tyre, e cila në mënyrë paradoksale mori frymëzim nga përvoja e përbashkët e zisë për nënën e tyre Dianën, ka qenë prej kohësh një far për fansat e lajmeve mbretërore, të bindur se asgjë nuk mund ta minojë atë dashuri.
E megjithatë tani e dimë shumë mirë se si përfundoi. Ttrashëgimtari i fronit William nuk ka folur me Harryn prej dy vjetësh, domethënë që nga ditët e trazuara të vdekjes së Mbretëreshës Elizabetë, e cila ndërroi jetë në Kalanë Balmoral, në Skoci, më 8 shtator 2022. Princi i Uellsit, i projektuar gjithnjë e më shumë si sovran i ardhshëm, duke pasur parasysh dramat familjare ku përfshihet vëllai i tij, ka rrëfyer para disa miqve se nuk donte ta ftonte në kurorëzimin.
Nuk dihet ende se kur do të mbahet kjo ngjarje, natyrisht, por William i ka përshkruar tashmë konturet e ditës epokale: do të jetë “ndryshe”, më moderne dhe më pak luksoze se ajo e inskenuar më 6 maj 2023 në Westminster Abbey për kurorëzimin e babait të tij. Në këtë kuadër minimalist, nuk ka vend për vëllain e dëbuar. As në rreshtin e tretë, ku Duka i Sussex u “degdis” gjatë vendosjes solemne të Charles në fron.
Gazetarja mbretërore Roya Nikka ka zbuluar këto prapaskena: në gazetën The Sunday Times ajo ka vizatuar një portret shumë të hidhur të Harrit në pragun e të 40-tave, që i mbush më 15 shtator. Në artikull, djali i dytë i sovranit britanik përshkruhet si një njeri nostalgjik që e kalon kohën duke “menduar për të kaluarën”, ka ndërprerë lidhjet me të gjithë miqtë e tij të fëmijërisë dhe nuk mund të gjejë rehati në ritmet e jetës së re amerikane.
Princi, me divorcin e tij të bujshëm nga familja mbretërore në vitin 2020, kërkoi dhe fitoi “pavarësinë financiare, lirinë për të formësuar të ardhmen e familjes së tij larg presioneve të jetës mbretërore”. Rruga e tij, megjithatë, ishte e ndërthurur me intervista helmuese si ajo e dhënë për Oprah Winfrey në 2021 dhe nga “Spare”, një biografi e publikuar në janar 2023, plot detaje dhe kujtime shumë private që e kanë larguar gjithnjë e më shumë nga origjina.
Dhe kështu, më shumë se një vendstrehim, vila Montecito që ai ndan me gruan e tij Meghan dhe dy fëmijët Archie, 5 vjeç dhe Lilibet Diana, 3 vjeç, ka marrë formën e një mërgimi të artë. I vetmi burim lehtësimi për të duket se është miqësia me producentin kanadez David Foster, 74 vjeç, fqinj dhe bashkëshort i ish-shoqes së shkollës së Meghan, aktores Katharine McPhee.
Me të ai ka krijuar një “marrëdhënie baba-bir” të vërtetë, një simulim i asaj shumë më komplekse me babanë e tij të vërtetë. Nga ana e tij, Charles, ashtu si djali i tij i madh, vazhdon të shmangë telefonatat e Harrit, i shqetësuar nga beteja e tij e pandërprerë kundër qeverisë britanike për të marrë mbrojtjen e policisë në kurriz të taksapaguesve kur ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga ligësia e shprehur vitet e fundit ndaj gruas së tij Camilla, e cila në sytë e Dukës së Sussex është dhe do të mbetet gjithmonë njerka e keqe e historisë (së tij).
ZEMËRIMI I KATE
Dhe meqë jemi tek gratë. Si mund t’i harrojmë ato, duke pasur parasysh ndikimin që veprimet dhe fjalët e tyre patën te bashkëshortët respektivë në këtë mosmarrëveshje komplekse? Le të marrim Kate, princeshën e dashur të Uellsit, e cila aktualisht është e angazhuar në betejën me kancerin: siç raportohet nga revista amerikane Daily Beast, ajo dhe William nuk iu përgjigjën mesazhit me urimin për shërim të, shpejtë të dërguar nga kunata dhe kunati pas publikimit të videos së 22 marsit, në të cilën princesha zbuloi diagnozën, sepse u zemërua nga toni i shënimit zyrtar që Dukët e Sussex kishin lëshuar në mbështetje të gruas së Williamit pasi morën lajmin. Cili ishte faji i tyre? E kishin quajtur Kate dhe jo Catherine, emri i plotë i ish-Miss Middleton me të cilin ajo preferon ta thërrasin pasi është mbretërore.
Një familjaritet i tepruar, në sytë e princave të Uellsit. Ndoshta shoku i William kishte të drejtë kur, duke komentuar për grindjen e Windsor për Daily Beast, tha se “herën tjetër që vëllezërit do të takohen përsëri ballë për ballë do të jetë në funeralin e babait të tyre Charles”. Dhe realiteti fatkeq është se mund të jetë e vërtetë.
BotaM