Lajme

Nagavci: Mbi 300 mijë fëmijë filluan vitin e ri shkollor, s’kemi pranuar ankesa nga komunat

Ministria e Arsimit, Arbëria Nagavci, me rastin e fillimit të ri të vitit shkollor ka vizituar shkollën “Iliria” në Prishtinë.

Pasi u prit nga mësimdhënësit dhe nxënësit, ministrja pa nga afër procesin mësimor në klasën e parashkollorëve, ku nga ky vit është bërë i obligueshëm mësimi për fëmijët nga moshat pesë-gjashtë vjeçare. Ajo, po ashtu bëri të ditur se mbi 300 mijë fëmijë sot po fillojnë vitin e ri shkollor 20242025, derisa shtoi deri tani s’kanë pranuar asnjë shqetësim nga komunat.

Më shumë se 300 mijë fëmijë sot do të fillojnë vitin e ri shkollor 2024/2025 me besimin e plotë për motivim dhe angazhim të mësimdhënësve. Uroj që të kenë shëndet dhe mbarësi në këtë fillim të vitit shkollor. Sivjet në të gjitha shkollat dhe komunat për herë të parë është bërë i obligueshëm mësimi për fëmijët nga moshat pesë në gjashtë vjet për parashkollorët. Sot ishim në vizitën e parë në klasën e parashkollorëve që të shohim a kanë arritur suksesshëm të bëjnë përgatitjet për këtë fillim të vitit shkollor. Nga drejtoresha dhe mësimdhënësit që na pritën janë reflektimet e para për entuziazmin e tyre se të gjitha përgatitjet janë realizuar me kohë, po ashtu dhe bashkëpunimi me prindër ka qenë në nivelin e duhur. Besoj se ky do të jetë një fillim premtues për rezultatet e fëmijëve tanë”, tha ajo.

Sipas saj, procesi i fillimit të ri të vitit shkollor po shkon mbarë dhe se s’ka asnjë raportim apo shqetësim për një gjë të tillë.

“Jemi në kontakte të vazhdueshme me komunat për të gjitha çështjet në mënyrë që fillimi i vitit të ri shkollorë të jetë i suksesshëm. Deri tani s’kemi ndonjë kërkesë apo shqetësim nga komunat, gjatë ditëve në vijim presim një raport nga komunat për gjithçka. Aty përfshihet furnizim me tekstet, fillimi i vitit të ri shkollor dhe numrin e nxënësve. Këtu janë bashkë me udhëheqësin e divizionit për arsimin parashkollor dhe si ministri s’kemi asnjë raportim apo shqetësim për fillimin e ri të vitit shkollor”, shtoi Nagavci.

Ajo po ashtu shtoi se edhe procesi i subvencionimit të teksteve mësimore është duke vijuar pa ndonjë parregullsi.

Furnizimi me tekstet shkollore ka shkuar shumë mirë deri tani, me aq sa kemi informata. Nga sot deri në fund të javës kolegët nga ministria do të jenë në secilën prej komunave, por vlen të përmendët se nga asnjë komunë s’kemi ndonjë shkresë për ndonjë shqetësim që duhet pasur. Kërkesat individuale që janë paraqitur nga prindërit me rastin e aplikimit janë adresuar nga kolegët në ministri”, theksoi Nagavci.

Duke folur për mësimin gjithë ditorë në disa shkolla në kryeqytet, ajo uroi që të ketë sukses, derisa theksoi se një gjë të tillë e kishte nisur ajo në vitin 2015 sa ka qenë drejtoreshë e arsimit në kryeqytet.

Riorganizimi i mësimit në objektet shkollore në Komunën e Prishtinës është një proces që e kemi filluar në vitin 2015, kur unë kam qenë drejtoreshë e arsimit në atë kohë. Jam e lumtur dhe uroj që të ketë suksese. Më vjen keq që janë humbur gjithë këto vite prej vitit 2015, pasi tani do të ishte më e lehtë dhe më shumë nxënës të përfshirë në këtë proces”, deklaroi Nagavci.

Sa i përket protestës së sotme të nxënësve dhe profesorëve të gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ku kërkuan që të mbajnë mësimin në objektin e vjetër dhe jo atë të gjimnazit matematikor, ministrja Nagavci kërkoi që në këtë riorganizim të përfshihen në diskutime të gjitha palët.

“Kërkesa dhe insistimi im ka qenë që komuna të përfshijë në të gjitha diskutimet dhe planifikimet, përfaqësuesit e këshillit të prindërve dhe të shkollave, në mënyrë që me kohë të ndahet të gjitha informatat dhe të bëhen pjesë e planifikimit…Mendoj se s’ka qenë një vendim i lehtë për shkak se Xhevdet Doda është një shkollë që ka një identitet të vetit”, përfundoi Nagavci.

Krahas shkollës “Iliria”, ministrja gjatë ditës vizitoi edhe shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë.