Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e mbrëmjes së shkuar ku mes dy grupeve pati të shtëna me armë zjarri në Prishtinë.
Të përfshirë në ngjarje janë familjet Sekiraqa dhe Capat, të njohura edhe si grupe që janë në konflikt prej kohësh. Gjithashtu raportohet se ky konflikt i armatosur la të vdekur një person dhe pesë të tjerë u plagosën. Mosmarrëveshjet e mëhershme mes dy fiseve ishin shkaku i përleshjes së armatosur në Prishtinë, mbrëmjen e 1 shtatorit, që la të vrarë një person, tha Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Themelore tha se pesë të dyshuarit, të cilët kanë marrë lëndime trupore, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim dhe “për momentin janë jashtë rrezikut për jetë”. Autoritetet gjyqësore e kanë klasifikuar këtë rast si vepër penale “vrasje të rëndë” në bashkëkryerje dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore tha po ashtu se përveç pesë të plagosurve, autoritetet po punojnë në identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në të shtënat në Prishtinë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka dalë me një konfirmim zyrtar lidhur me ngjarjen. Bazuar në informacionet që posedojnë organet e rendit dyshohet se është Premtim Gashi personi që ka humbur jetën. Konfirmimi i identitetit nuk është bërë mbrëmë menjëherë në vendin e ngjarjes për shkak se i vrari nuk kishte dokumente identifikuese me vete. Gjithashtu raportohet se në momentin e ngjarjes, viktima kishte me vete një kallashnikov.
Konflikti dyshohet se lidhet me problemet që familja e Sekiraqës ka pasur në vazhdimësi me familjen Capat në Prishtinë, të cilëve iu plagos një familjar para disa muajsh. Raportohet po ashtu se nga familja Sekiraqa, mbeti i plagosur personi më me ndikim në grupin e tyre, Salih Sekiraqa, 47-vjeçar.
Bashkë me Sekiraqën u lënduan edhe Korab Gashi (vëllai i Premtimit), Robert Llumnica 29-vjeçar, Fatos Abazi 35-vjeç dhe Valdrin Ademi 21-vjeç. Gjithashtu bëhet me dije se në gjendje më të rëndë shëndetësore janë të plagosurit Llumnica dhe Ademi.