Lajme

Si u realizua dita e parë e mësimit tërëditor në kryeqytet?

Në Prishtinë ka nisur implementimi i procesit të mësimit tërë ditor. Gjatë vizitës së tij në shkollën ‘’Qamil Batalli’’, kryetari i komunës, Përparim Rama mësimin tërë ditor e quajti proces transformues.

Me çantën plot e në përcjellje të prindërve po iu afrohen dyerve të shkollës.

Teksa presin t’u lexohet emri për të hyrë në klasë, të gëzuar përjetësojnë kujtimet e ditës së parë të mësimit.

E për herë të parë në Prishtinë, në shkollën ‘’Model-Qamil Batalli’’, nxënësit e klasave të para deri tek e pesta do të jenë në mësim tërë-ditor.

Kjo do të thotë se ata do të qëndrojnë në shkollë nga ora 7:45 minuta deri rreth orës 15:00.

Teksa mëngjesin e së hënës, një vizitë filloristëve u bëri kryetari i komunës, Përparim Rama.

Ndërsa mësimin tërëditor, Rama e quajti proces transformues.

“Nxënësit do të jenë një periudhë më të gjatë kohore në shkollë, pra përveç që mësojnë iu ofrojnë edhe kushte më të mira prindërve që munden me shku në punë edhe masandej derisa kthehen prej punës fëmijët janë në institucionin shkollor ku edhe kanë mundësi për mësim edhe për socializim shtesë”, tha kryetari Rama.

Kurse Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu bëri të ditur se përveç kësaj shkolle, mësimi tërë-ditor ka nisur edhe në ‘’Shkolla e Gjelbër’’.

E për nxënësit do të ketë edhe shujta ushqimore.

“Disa pas orës së dytë e disa pas orës së tretë e kanë shujtën e ushqimit pra të drekës që  sillet nga Kuzhina Qendrore e Komunës së Prishtinës e më pastaj natyrisht që do të jetë në fund të ditës edhe një pas-shujtë, një frut apo diçka tjetër që do të jetë e sjellur gjithashtu nga kuzhina qendrore”, tha drejtori i shkollës, Liridon Maliqi.

Në këtë objekt do të ndjekin mësimin tërë-ditor rreth 750 nxënës.

Ndërkaq, klasat 6 – 9 të shkollës “Model-Qamil Batalli” do të zhvendosen në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë. /teve1.info/