ShowBizzz

Big Basta paralajmëron rikthimin e fuqishëm në muzikë , ndan detajet me publikun

I ftuar në “Live from Tirana” ishte reperi Big Basta, ku, së bashku me Gerhard Veizin, folën për eventin “Shqip Hop Fest”. Big Basta është rikthyer në skenën e muzikës në Shqipëri dhe ai u pyet rreth aktiviteteve të tij, si dhe për detaje për albumin e ri.

Pjesë nga intervista:

Si ndihesh pas rikthimit tënd?

Shumë mirë. Kur u largova dhe më pas mora vesh që është dikush që po kujdeset për kulturën hip-hop dhe mbi të gjitha që ajo të jetë e gjallë në hartën e Ballkanit, më erdhi shumë mirë. Gjithmonë e kam pasur dëshirë që të promovoj artistët e rinj dhe jam i kënaqur që do të marr pjesë.

Ç’mund të na thuash për albumin e ri?

Pas atyre pushimeve të shkurtra, kam qenë në një punë intensive sepse po përgatis një EP me 6 këngë dhe më duhet ta promovoj deri në fund të tetorit, të paktën. Për sa i përket detajeve, albumi do të titullohet “Tirona e Nonës” dhe do të jetë një ‘milestone’ për t’u rikthyer tamam në skenën e hip-hopit. Shpejt do të publikoj dhe videoklipet me këngët përkatëse të EP-së. Kam vetëm një bashkëpunim me MC Kreshën, të tjerat janë single. Disa këngë i kam të përpunuara nga ato të vjetrat shqiptare, si për shembull të artistit legjendar shqiptar Rudolf Stamolla. Gjithashtu, si bonus track, do të rikthej dhe këngën “Tirona” sepse përshtatet shumë. Tani, përsa i përket datës ekzakte, nuk kam një konkrete për t’ju dhënë, por, para tetorit, do të jenë të publikuara të gjitha.

Të kishte marrë malli të riktheheshe?

Më kishte marrë malli shumë. E shoh si një mundësi që të prek zemrat e të rinjve, të cilët janë rritur shumë. E kam dëshirë dhe pasion, por dua dhe të shoh reagimet e brezit të ri kundrejt punës sime.