Lajme

Për çfarë do të mbahet mend Qeveria e VV-së? – Tregon Rrustemi

Se çfarë i solli Kosovës qeverisja gati katër vjeçare e VV-së në studion e emisionit “Info Nata” ka treguar deputeti i këtij subjekti politik, Adnan Rrustemi.

Rrustemi tha se përgjatë këtij mandati LVV ka sjell shtrirjen e sovranitetit në veri, luftoi dhe eliminoi korrupsionin, zhvilloi ekonominë si dhe politikat sociale.

“Pa dyshim që i solli shtrirjen e sovranitetit në veri, largimin e strukturave paralele atje, largimin e Radoiçiqit dhe strukurave ilegale. Vendosjen e të gjitha elementeve që e përbëjnë sovranitetin e shtetit të Kosovës nga rrugët ilegale nga heqja e dinarit e vendosja e euros… Luftimin e korrupsionit, eliminimin e tij në nivelet e larta politike institucionale, reformat në aspekte të ndryshme, zhvillim ekonomik në kuptimin e parametrave macro-ekonomik pa u lëshuar në detaje edhe natyrisht politikat sociale”.

Ai tha se edhe përkundër sfidave me karakter global LVV ka arritur që të konsolidohet dhe të ecë përpara.

“Ka qenë një mandat përkundër sfidave që e kanë karakterizuar sidomos në fillim të kësaj qeverie, pandemia, lufta në Ukrainë, inflacioni, kriza energjetike, por përkundër këtyre tri ngjarjeve me karakter global që ndodhën menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë ne kemi arritur edhe t’i kalojmë edhe të konsolidohemi e të ecim përpara”, deklaroi Rrustemi.

Ndërkohë, sa i përket reformave në drejtësi tha se kanë miratuar mbi 45 ligje.

“Gjatë këtyre tri viteve e gjysmë, reforma në drejtësi është e segmentuare. Ne kemi miratuar mbi 45 ligje gjatë këtij mandati në këtë fushë, që s’kanë ekzistuar ose që janë ndryshuar për të forcuar procedurat në sistemin e drejtësisë”, shtoi ai.