Lajme

Haxhiu për përleshjen me armë në Prishtinë: E papranueshme që grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar për përleshjen me armë të së dielës në Prishtinë, mes familjeve Gashi dhe Sekiraqa, ku një person ka mbetur i vdekur e pesë të tjerë të plagosur.

Haxhiu, ka thënë së është e papranueshme që të tolerohen nga sistemi i drejtësisë kriminelë dhe grupe kriminale, të cilët tentojnë e sfidojnë ligjin.

Ajo, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që të kryejnë detyrat me përgjegjësi të lartë për të pamundësuar veprime të tilla të kriminelëve, më të cilat rrezikohen edhe qytetarët.

“Është e rëndësishmë që institucionet të mbahen përgjegjëse për veprimet të cilat i kanë edhe të përshkruara me ligj. Ajo çfarë dua të them është që për mua është e papranueshme që kriminelë dhe grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë apo të tentojnë të sfidojnë ligjin dhe të mendojnë që janë mbi ligjin. I bëj thirrje secilit institucion që të kryejnë detyrat me përgjegjësi të lartë që të mos lejojnë kriminelët të bëjnë veprime të tilla. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë. Janë rrezikuar edhe qytetarët. Është e rëndësishme që të mbahen përgjegjës ata që nuk e kryejnë detyrën që e kanë”, ka deklaruar Haxhiu, në konferencë për media./teve1.info/