Lajme

Pak para vizitës në Kosovë, Lajçakut i vjen një paralajmërim nga ish-ambasadori holandez: Shpresoj që nuk do..!

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar vizitën e tij në Prishtinë për ta përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve.

Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të nisem drejt Bledit për Forumin Strategjik të Bledit të këtij viti dhe drejt Prishtinës për të përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve në Bruksel”, shkroi Lajçak në Facebook.

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch në një prononcim për “Bota sot” foli rreth kësaj vizite të Lajçak në Kosovë.

Ai tha se nuk mund të di saktë se çfarë dëshiron të arrijë emisari sllovak me vizitën e tij në Kosovë, por shpreson që të mos i ndalojë aksionet e qeverisë në veri për mbylljen e strukturave paralele.

“Është e vështirë për mua të di se çfarë dëshiron Lajçak. Shpresoj se ai nuk do të përpiqet më, siç kanë bërë shumë ndërkombëtarë, të zhbëjë masat që ka bërë qeveria në veri për të çmontuar përfundimisht (11 vjet pas marrëveshjes) strukturat paralele në veri”.

Krahas kësaj, diplomati holandez tha se aksionet në veri janë për t’u duartrokitur dhe jo për t’u kritikuar.

Sipas tij, integrimi i veriut është lajm i mirë edhe për serbët e Kosovës, derisa shpreson që Lajçak të mos shkaktojë tensione me vizitën e tij.

“Është mirë që më në fund të integrohet plotësisht veriu dhe kjo nuk duhet kritikuar, por shumë më tepër për t’u duartrokitur.

Integrimi është gjithashtu i mirë për serbët e vullnetit të mirë që jetojnë në veri siç ishte në jug derisa Beogradi shkatërroi procesin e paqes dhe integrimit përmes SL.

Nuk mund të shtoj më shumë, por shpresoj se Lajçak nuk do të shkaktojë më shumë tensione duke mbështetur de fakto forcat negative”, përfundoi Robert Bosch për “Bota sot”.