Lajme

Mbyllja e institucioneve paralele serbe në Kosovë, Vuçiq thotë se funksionojnë dy sektorët më të rëndësishëm

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq pretendon se nuk është e vërtetë që në Kosovë nuk funksionojnë institucionet e Serbisë – duke theksuar se funksionojnë dy më të rëndësishmet që sipas tij janë shëndetësia dhe arsimi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Vuçiq tha se do ta vizitonte qysh nesër Kosovën nëse do t’i jepet leja nga KFOR-i.

“Shkuarja ime nuk bëhet fjalë për zgjedhjet e mia por për vendimet e tyre”, theksoi ai duke shtuar se do të shkonte jo vetëm në Mitrovicë por edhe në të gjitha vendbanimet dhe fshatrat tjera të Kosovës të banuara me Serb.

Në anën tjetër, nënkryetari i qeverisë serbe, Aleksandar Vulin gjatë një vizite në Rusi ku është takuar me Vladimir Putinin, ka deklaruar se Serbia që udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiqit kurrë nuk do t’i bashkohet NATO-s dhe as që do t’i vendosë sanksione Rusisë.