Lajme

Aktakuzë ndaj të dyshuarit për vr*sjen e bashkëshortes në QPS të Ferizajt

Prokuroria Themelore në Ferizaj sot ka ngritur aktakuzë ndaj një burri të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes në fillim të këtij viti në Ferizaj.

Erona Cokli, 21-vjeçare, u vra më 12 prill në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ndërkohë që i dyshuar kryesor për aktin u arrestua ish-bashkëshorti i saj, me të cilin ajo e kishte një djalë.

Prokuroria e ngarkon ish-bashkëshortin e saj, të identifikuar me inicialet V.A, për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale… i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerën E.C, me të cilën kishte bashkëjetuar”, thuhet në njoftim.

Çifti ishte i shkurorëzuar për gati një vit dhe Erona Cokli e kishte obligim ligjor që ta takonte të birin me të atin çdo javë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj (QPS).

Në takimin që do të bëhej i fundit për ta, ajo u qëllua për vdekje, ndërsa vëllai i saj Driloni, 15 vjeç, që e shoqëronte, u plagos.

“Fillimisht ditën kritike rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, i pandehuri e merr djalin dhe e dërgon në shtëpi për t’ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthente në orën 15:00, mirëpo i pandehuri pas dyzet minutave kthehet pa fëmijën në QPS, dhe rreth orës 14:40 vëren të ndjerën E.C., me vëllain e saj D.C. Pastaj, para tyre futet në zyrën e QPS-së… dhe pas një fjalosje të shkurtë shtie një herë në drejtim të të ndjerës, duke e qëlluar në kraharor, e pastaj edhe në drejtim të të dëmtuarit D.C, të cilin e qëllon në krahun e djathtë. Më pas, derisa e ndjera E.C., fillon të largohet, e godet edhe njëherë në gjoks dhe në fund në anën e majtë të kokë”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria e akuzon atë edhe për kanosje në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.