Lajme

“Do të ndikojnë në ngritjen e dijës së nxënësve llapjanas”, Kurti merr pjesë në inaugurimin e dy shkollave

Kryeministri i vendit, Albin Kurti të mërkurën bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci kanë përuruar dy shkolla në fshatrat, Dumosh dhe Obranqë të Podujevës. Nga këto dy shkolla të reja, kryeministri, Albin Kurti iu ka uruar fillim të mbarë për vitin e ri shkollorë nxënësve të këtyre dy fshatrave, dhe ka bërë të ditur se kjo do t’i shërben në rritjen e cilësisë së arsimit në komunën e Podujevës. Ndërsa ministrja Nagavci dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi kanë premtuar ndërtimin edhe të disa shkollave dhe çerdheve.

Në hyrje po e prisnin personazhin pa të cilin nuk filloi ceremonia.

Fëmijët nuk i prekën bankat shkollore, pa mbërritur shefi i shtetit.

Kryeministri Albin Kurti u prit të mërkurën në fshatin Dumosh të Podujevës për të inauguruar këtë shkollë e cila është emëruar me emrin e atdhetarit, Musli Dumoshi.

Kurti tha se kjo do të ndikojë në ngritjen e mendjeve të reja që do të ndërtojnë të ardhmen e vendit.

“Ndërtimin e kësaj shkolle e filluam në ditën e çlirimit të Podujevës, sepse sikurse liria edhe zhvillimi edhe prosperiteti vinë nga puna e palodhshme dhe sakrificat e mëdha. Në këto klasa do të rriten dhe ngritën mendjet e reja që do të ndërtojnë nesër një botë më të drejtë e më të bukur. Uroj që kjo shkollë dhe cdo tjetër në vendin tonë, të jenë burim frymëzimi për çdo fëmijë që të përqafoi, dhe kërkoi dijen nga vetja, shoqëria nga bota” tha Kurti.

Ndërkaq ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se do të krijojnë kushte të barabarta për të gjithë nxënësit në vend.

“Jemi të vetëdijshëm për detyrën që e kemi që të jemi pranë jush, për krijimin e kushteve më të mira dhe më cilësore për mundësitë e barabarta për të gjithë nxënësit, një zotim që po vazhdojmë ta përmbushim”, tha Nagavci.

Për drejtoreshën e shkollës, ky projekt ka qenë një ëndërr që u realizua tashmë.

“Ndërtimi i një godine të re shkollore, në këtë lokalitet moti ka qenë imperativ i kohës, ngase për shumë e shumë breza një objekt i ri shkollorë ka qenë edhe një ëndërr”, tha drejtori, Sebahate Jakupi.

E kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi tregoi vlerën e projektit.

“Vlera e këtij investimi nga ana e komunës në këtë projekt është 584 mijë e 807.84 cent, dhe janë komplet buxhet i komunës së Podujevës. Me realizimin e këtij projekti po ndihem më i lirë dhe po flas ballëhapur para jush, sepse ju kemi premtuar se fshatit tuaj do t’ua ndërtojmë shkollën e re”, tha Bulliqi.

Nuk vonoi shumë u bë edhe prerja e shiritit.

Kryeministri Kurti pa nga afër objektin e ri shkollorë të llapjanëve.

Nga këtu, kryeministri vazhdoi në fshatin Obranqë, me të njëjtin synim, prerjen e shiritit të shkollës së re në këtë fshat.