Lajme

Kraniqi: Nuk ka më institucione ilegale në veri

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka komentuar mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, duke thënë se këto institucione apo struktura paralele serbe janë mbyllur nga Policia e Kosovës pas kërkesës së ministrisë që ai drejton.

Megjithatë, ai tha, se objektet e liruara do të shfrytëzohen për kërkesat e qytetarëve atje e po ashtu për nevojat që ata do t‘i kenë.

“Tashmë janë mbyllur këto 5 institucione ilegale në veri dhe u bashkohen edhe shtatë të tjerave të cilat janë mbyllur më herët me një veprim të përbashkët të institucioneve të Kosovës”, tha Krasniqi.

Tutje ka thënë ai se tashmë ato institucione ilegale nuk funksionojnë në Kosovë, sepse kanë vepruar jashtë kornizës ligjore dhe kushtetuese të Kosovës dhe nuk kanë më hapësirë të veprojnë në Kosovë.

Krasniqi tha se objektet e liruara janë kryesisht në pronësi të komunave të Kosovës dhe tashmë kanë institucionin që do të veprojë në objektin e liruar dhe aty do të veproj Qendra Rajonale e trajnimeve për Patentshoferë.

“Tashmë jemi duke punuar në nivel lokal dhe qendror që kërkesave të qytetarëve tu jemi sa më afër edhe me objekte të liruara në mënyrë që tu përgjigjemi sa më mirë qytetarëve atje”, tha Krasniqi për RTK-në.

Ai theksoi se ndërkombëtarët kanë qenë të informuar se do të mbyllen këto komuna paralele.

“Nga pikëpamja ime edhe si ministër është e papranueshme fakti që në territorin e Republikës së Kosovës, fushëveprimtarinë e tyre ta bëjnë edhe komuna paralele. Mbyllja e tyre pas 24 viteve sinqerisht nuk do të duhej të ishte temë, përkundrazi do të duhej të ishte problematikë nëse ne vazhdojmë dhe i lejojmë që ato institucione të veprojnë aty. Nuk ka hapësirë në Republikën e Kosovës për institucionet e Serbisë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Është obligim ligjor, kushtetues, është mandat jonë që ti mbështesim institucionet tona legjitime atje”, ka deklaruar Krasniqi.