Lajme

Ahmeti: Ujdia e Uashingtonit juridikisht nuk quhet marrëveshje

Ish-ambasadori, Amir Ahmeti, për ujdinë e arrit në Uashtington thotë se juridikisht nuk mund të konsiderohet marrëveshje.

Ahmeti tha se ujdia e arritur e ka vlerën që është nënshkruar në Uashingon, por s’e ka përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare.

“Për nga vendi e ka vlerën e vetë këto dy zotime nga dy liderët e dy shteteve, përndryshe në aspektin juridiko-politik, në aspektin profesional të së drejtës kombëtare, ky dokument i nënshkruar në dy kopje jo të njëjta d.m.th të ndryshme të nënshkruara nga dy liderë të dy shteteve jo në të njëjtin dokument… juridikisht nuk mund ta quajmë marrëveshje, edhe pse i referohemi si marrëveshje, por nuk është. Këto quhen zotime… por në asnjë mënyrë nuk e ka përmbajtjen e një marrëveshje ndërkombëtare. Këtu ne nuk i kemi dy palë, vetëm një palë edhe në dokumentin tjetër vetëm një palë, si e tillë e mbyll këtë dhe nuk e konsidero si një marrëveshje”, tha ai.

Sipas tij, ky zotim ka ardhur me nguti, meqë ish-presidenti Trump në atë kohë ishte në kohë të zgjedhjeve.

“Ky zotim si i tillë ka ardhur në mënyrë shumë të shpejt dhe me insistim të Shtëpisë së Bardhë. Kjo ka ardhë si rezultat që Trump ishte në zgjedhje si president i ShBA-së dhe nuk kishte ndonjë arritje në marrëdhëniet ndërkombëtare”, deklaroi Ahmeti.

Ujdia për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.

Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor.