Lajme

“Derisa po zhduken simbolet e fundit të Serbisë në veri të Kosovës, Vuçiq po u shërben petulla ushtarëve”

Në të njëjtën ditë kur u largua stema e Serbisë dhe logoja e organeve paralele në Mitrovicën e Veriut, dhe në vend të tyre u vendosën simbolet e Republikës së Kosovës, presidenti serb bëri disa petulla për ushtarët në “rezidencën e tij të përkohshme” – në kazermën ushtarake në Lloznicë.

Aksioni i javës së kaluar i policisë në veri të Kosovës rezultoi me mbylljen e institucioneve paralele serbe.

Nga dita e premte, kur u zbatua, e deri më sot, para këtyre objekteve janë hequr simbolet dhe flamujt e shtetit serb, si dhe emrat e këtyre institucioneve serbe.

Image
Para këtyre objekteve janë hequr simbolet dhe flamujt e shtetit serb

Ata u zëvendësuan me flamuj të rinj, me ato të Kosovës dhe tabela të reja – në të cilat shkruhet se këto janë tani institucionet e Kosovës.

Me këtë u eliminua simboli i fundit i shtetit të Serbisë nga veriu i Kosovës, shkruan portali Kossev.

Në të njëjtën kohë, presidenti i Serbisë ka paralajmëruar se “nesër do të shkonte në Kosovë”, por që Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare nuk do ta lejojnë këtë.

Më pas ai shkoi në Lloznicë, qytet në territorin e të cilit është planifikuar të hapet një minierë e litiumit dhe paralajmëroi se do të kalojë disa ditë në kazermën ushtarake.

Menjëherë u mburr me akomodimin. Në një video të postuar në Instagram, ai ka njoftuar publikun se ku do të lahet, fle e punojë.

Disa orë më vonë Vuçiq ka bërë një tjetër njoftim, po ashtu nga kazerma.

“Më kujtohen ditët e mia ushtarake, si dhe dëshira ime e përjetshme për të pasur petulla në mensë”, ka njoftuar opinionin presidenti serb me këtë “lajm shumë të rëndësishëm”.

Në një video të publikuar në Instagram, i shoqëruar me muzikë dramatike, Vuçiq ka tentuar të kthejë petullat në kuzhinën e kazermës. Më pas ua shpërndau ushtarëve në mensë.