Ditëve të fundit, është shfaqur një çështje e re e cila lodhet me serbët e Kosovës. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, i ka përcjellë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimet për disa informacione nga Serbia, se në rajonin e Sanxhakut në këtë vend, “janë duke u ndërtuar shtëpi dhe banesa për serbët e Kosovës, e sidomos ata nga veriu”, por theksoi se informacionet e tilla duhet të verifikohen.
“Si dikush që është marrë me çështjen e refugjatëve që nga vitet 1990 e këndej, ju kujtoj se gjithmonë ka pasur thashetheme, të cilat më vonë kanë rezultuar me eksod apo zhvendosje të popullsisë”, tha Biserko në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
“Ne i kemi thënë Qeverisë së Kosovës që duhet t’iu kushtojë vëmendje këtyre informacioneve dhe të bëjë gjithçka të mundur që popullata serbe të mbahet në veri të Kosovës”, ka thënë Biserko.
Meha: Këto veprime Serbia është duke i kryer tani për faktin se Europa dhe përgjithësisht perëndimi janë duke e përkëdhelur Serbinë
Njohësi i çështjeve politike, Xhevat Meha për “Bota sot”, thotë se kjo çfarë d[shiron të bëjë Serbia është kolonizimi i tokave shqiptare për t’i shndërruar në toka serbe.
Xhevat Meha
Sipas tij, Serbia me këtë plan do të realizojë projektin e daljes në detin Adriatik.
“Këto ditë u raportua se Qeveria e Serbisë është duke ndërtuar shtëpi në Sanxhak ku planifikon t’i shpërndaj për serbët e Kosovës veçanarëisht atyre nga veriu. Kjo është kolonizim i tokave shqiptare për t’i shndërruar në toka serbe. Kolonizimet dhe shndërrimi i tokave shqiptare në toka serbe bëhet për të realizuar projektin e daljes së Serbisë në detin Adriatik përmes tokës serbe. Këto kolonizime nuk datojnë nga dekadat e kaluara, datojnë nga shekujt e kaluar. Kjo e tanishmja është vazhdimësi.”
Tutje, ai thotë se edhe Rusia para disa viteve ka qenë pak a shumë si Serbia, e faktorizuar për perëndimin, por sot doli të jetë problemi më i madh i perëndimit.
Ai shton, se fat të njejtë mund të ketë edhe Serbia në Ballkan.
“Këto veprime Serbia është duke i kryer tani për faktin se Europa dhe përgjithësisht perëndimi janë duke e përkëdhelur Serbinë. Është rast i mirë për Serbinë që të shfrytëzoj këtë. Edhe merr investime të mëdha nga shtetet e fuqishme si Gjermania dhe Italia, edhe merr avion luftarak nga Franca, edhe merr avancime në integrimet europiane, edhe merr ndihma dhe mbështetje nga Rusia dhe Kina, edhe nxit konfliktualitet në Kosovë, në Bosnje e deri diku edhe në Malin e Zi. Të gjitha këto janë duke e faktorizuar dhe fuqizuar shumë Serbinë. Edhe Rusia deri para disa viteve ka qenë në raport me perëndimin në gjendje pak a shumë të ngjajshme, tani është problemi më i madh i perëndimit. Fat të njejtë është e pritshme të ketë perëndimi edhe me Serbinë”, deklaron ai.
Mehazi: Shtëpi e ndërtasa bëhen për bandat kriminale të Radojçiqit
Sulejman Mehazi
Lidhur me këtë temë, profesori Sulejman Mehazi deklaron se nëse ndërtohen këto shtëpi/banesa në Sanxhak, nuk do të jenë për serbët e Kosovës, po për bandat kriminale të Radojçiqit, dhe këtë sipas tij do ta tregojë koha.
“Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me Kryetaren e Komitetit të Hensinkut për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, së bashku me ish- udhëheqësin e Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanakun, dhe profesorin Baskin në Prishtinë zbuluan fshehtësitë e Beogradit për zhvendosjen e serbëve nga veriu i Kosovës në Sanxhak, sa është e vërtetë kjo që deklaroi zonja Biserko për ndërtimin e shtëpive në Sanxhak për serbët e Kosovës do tregojë koha, me siguri ndërtimet e shtëpive dhe banesave në Sanxhakun e Pazarit të ri (Novi Pazar) përgatiten jo për shumicën e serbëve që janë të vendosur të jetojnë në Kosovë me më shumë të drejta nacionale sesa në Serbi, por këto shtëpi e ndërtasa bëhen për bandat kriminale të Radojçiqit të cilët nga frika e burgosjeve të tyre nga ana e policisë së Kosoves me ndihmën dhe lejen e Presidentit te Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, kriminelët serbë të Kosovës do shpërngulen për të jetuar të lirë në Sanxhak”, deklaron profesori.
Ai thotë se qëllimi “i shpërnguljes së kriminelëve serbë nga Kosova në Sanxhak është, një, të rritet numri i serbëve përballë boshnjakëve, dy, me anë të terroristeve serbë të mbrohet Sanxhaku nga ndarja e saj nga Serbia”.
“Nuk është e rastësishme shpërngulja e terroristëve serbë nga Kosova në Sanxhak që pas Kosovës si vatër e dytë e ndarjes nga Serbia do jenë boshnjakët dhe shqiptarët e Sanxhakut. Pra, qëllimi i shpërnguljes së kriminelëve serbë nga Kosova në Sanxhak është, një, të rritet numri i serbëve përballë boshnjakëve, dy, me anë të terroristeve serbë të mbrohet Sanxhaku nga ndarja e saj nga Serbia”, pëefundon ai për “Bota sot”.