Administrata Tatimore e Kosovës, ka bërë të ditur se ka rritur të hyrat për 62.9 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Përmes një postimi në Facebook, ATK-ja ka inkasuar 642 milionë euro të hyra për periudhën janar – gusht 2024, shkruan teve1.info
“Të hyrat tatimore për periudhën janar-gusht 2024 kanë shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të hyrat për këtë periudhë janë rritur për 62.9 milionë euro, duke reflektuar pozitivisht në përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e performancës dhe zbatimin e reformave strategjike. Totali i të hyrave të inkasuara ka arritur në 642.0 milionë euro tatime, duke shënuar kështu rritje të qëndrueshme për buxhetin e shtetit”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Siç thotë ATK-ja, rritja lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e reformave të rëndësishme që kanë për qëllim përmirësimin e efektivitetit dhe rritjen e transparencës. Kanë përmendur reformat të cilat thonë se kanë rritur të hyrat.
“Ndikimi i reformave të ndërmarra përfshinë digjitalizimin e proceseve të punës, trajtimin e borxheve tatimore, krijimin e kanaleve për raportim të rasteve korruptive, luftimin e evazionit tatimor, rritja e përgjegjësisë dhe llogaridhënia janë disa nga reformat të cilat kanë ndihmuar në ngritjen e performancës”, thuhet tutje në njoftim.