Lajme

Krasniqi: Lajçak vjen për shkak të krizës, jo për shkak të zgjidhjes

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të premten, më 6 shtator pritet të vizitojë Kosovën, mësoi Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj në Bruksel.

Kjo vizitë, siç ka deklaruar edhe vet Lajçaku javën e kaluar, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Profesori, Milazim Krasniqi thotë se kjo vizitë do të jetë rutinë, ku sipas tij nuk pritet ndonjë rezultat.

“Vizita e Lajçakut me gjasë do të jetë të jetë vizitë rutinë dhe me përpjekje për të mbajtë në këta parametra krizën që ekziston në Kosovë, nuk besoj që mund të pritet ndonjë rezultat sepse indikatorët tregojnë që momentalisht nuk ka në horizont vullnet për të zgjidh problemin,” tha Krasniqi.

“Vjen për shkak të krizës e jo për shkak të zgjidhjes,” tha Krasniqi.

Teksa thotë se megjithëse beson se mund të ketë zgjidhje sipas tij ajo është komplekse.

“Vetë Bashkimi Evropian ka tregu mungesë të konsistencës në mandatin e vet, për arsye se vetë BE-ja duke mos e njohur Kosovën si shtet në tërësinë e vet, nuk e i trajton palët e barabarta dhe kjo është arsyeja se pse Serbia është inkurajuar në pretendimet e saj ndaj Kosovës,” shtoi Krasniqi.