Lajme

Lajçak: Marrëveshja e Ohrit obligative, po punojmë për implementim – asnjëra palë nuk është tërhequr

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka bërët ditur se Serbia e ka tërhequr letrën të cilës ish-kryeministrja Ana Bërnabiq, e kishte dërguar në BE, ku thuhej se nuk do ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe aneks dokumentin e Bruskelit.

Lajçak tha se si lehtësues të dialogut janë duke punuar në implementimin e marrëveshjes.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj. Jemi duke punuar në implementim, asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe jemi duke diskutuar edhe me Kosovën edhe me Serbinë se si të përshpejtojmë zbatimin e tyre. Letra është tërhequr. Ka deklarata këtu e atje që nuk ndihmojnë fare, por që marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj e përtej kësaj marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Pra, është e vlefshme në të dyja anët”, deklaroi në konferencë për media Lajçak.

Ndërkohë, lidhur me paralajmërimet e serbëve se do të ketë bllokada në kufijtë me Kosovën, Lajçak tha se nuk ka kurrfarë arsyetimi për bllokime.

“E pash shpalljen, shpresoj mos të ketë bllokime. Nuk ka kurrfarë lloj arsye për bllokime, pra duhet të ketë liri të lëvizjes”.

Gjitahshtu, Lajçak ka thënë se gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, të premten në Prishtinë, janë pajtuar për takimin e radhës, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Ai tha se s’mund të jep detaje pa u koordinuar me palët. /teve1.info/