Duke nisur nga e hëna, furgonët e transportit të mallrave nuk do të lejohen të lëvizin nga ora 7-9 të mëngjesit, në mënyrë që të mos bëhet trafik për shkollat.
Me nisjen e vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një regjim të ri për qarkullimin e trafikut, për të shmangur vonesat për prindërit dhe fëmijët gjatë orëve të para të mësimit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë takimit që bëri me administratorët e shkollave njoftoi se policia do të rekrutojë vullnetarë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, në mënyrë që të menaxhojnë fluksin në çdo shkollë.
Gjithashtu, ai theksoi se do të jetë e ndaluar lëvizja e automjeteve që furnizojnë dyqanet nga ora 07:00 deri në 09:00 të mëngjesit.
“Të hënën do të futemi me regjimin e ri të trafikut. Do të angazhojmë edhe vullnetarë për të ndihmuar fëmijët të kalojnë në vijat e bardha, përveç ndihmës nga Policia Bashkiake dhe Policia Rrugore. Në fundjavë do të publikojmë urdhërin e kryetarit të bashkisë për orarin e qarkullimit në mëngjes.Gjatë kohës që shkojnë fëmijët në shkollë, nga ora 7:00 me 9:00, ne do t’i pezullojmë totalisht makinat e furnizimit,” –tha kryebashkiaku.
Një apel kryebashkiaku e bëri edhe për prindërit që punojnë në administratë publike, që të shmangin lëvizjen deri në 09:00 të mëngjesit, duke qenë se me orarin e ri mund të paraqiten në vendin e punës më vonë, mjafton që të plotësojnë orarin e plotë.
“Këtë vit kemi edhe një risi për prindërit që punojnë në administratën publike. Orari është fleksibël, që do të thotë se një prind mund të shkojë edhe në orën 09:00 në punë, mjafton ta rikuperojë më pas. Nëse ka edhe njerëz që na ndihmojnë në këtë apel public, të cilët mund të shkojnë në punë pak më vonë, le të na ndihmojnë kështu, do e vlerësoja jashtë mase,” –përfundoi ai.
Këtë vit shkollor, Tiranës do ti shtohen edhe 5 shkolla të reja, të cilat do të ndihmojnë në dhënien fund të mësimit me dy turne.