Lajme

Rizvanolli: Lëndët e para s’duhet të sigurohen duke forcuar regjime destabilizuese

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kritikuar marrëveshjen e vendeve evropiane me Serbinë për litiumin, duke thënë se lëndët e para nuk mund të sigurohen duke forcuar regjime autokratike me tendenca për destabilizimin e rajonit.

Këtë deklaratë Rizvanolli e ka thënë në Forumin e Energjisë së Evropës Juglindore (SEEF 2024) që po mbahet në Selanik të Greqisë.

Sipas njoftimit nga Ministria e Ekonimisë , Rizvanolli ka vlerësuar “se bashkëpunimi me partnerë me të cilët i ndajmë vlerat është tejet i rëndësishëm për sigurinë e energjisë të rajonit”.

Në njoftim thuhet se Rizvanolli ishte pjesë e panelit ministror “Bashkëpunimi energjetik në Evropën Juglindore dhe rajoni Mesdheut Lindor: Një kthim për sigurinë e energjisë në BE”, ku së bashku me homologët e saj nga Greqia, Theodore Skylakakis, Maqedonia e Veriut, Sanja Bozhinovska, atë të Bullgarisë, Vladimir Malinov dhe ministrin rumun, Sebastian Burduja, kanë diskutuar për bashkëpunimin energjetik në rajon.