Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e arrestimit të Marklen Hakës, 33-vjeçarit të shpallur në kërkim nga SPAK. Prangosja e tij u bë në fshatin Nikël, në kuadër të operacionit të koduar “Liqeni i Bacungut”.
Siç shihet nga pamjet ai është vënë në pranga në një banesë, ndërsa në momentin e arrestimit ka qenë zbathur.
Gjatë operacionit janë shoqëruar dhe persona të tjerë të cilët po verifikohen nga strukturat e Policisë.
Po ashtu, policia thotë se në objektin ku është lokalizuar shtetasi Marklen Haka alias Marklen Aliu, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.
Kush eshte Marklen Haka?
Marklen Haka është një emër i njohur në botën e krimit dhe për drejtësinë shqiptare.
Pjesë e bandës së Niklës dhe i akuzuar për disa vepra penale dhe i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ‘Revanshi’’ i kryer nga SPAK.
Marklen Haka u ka shpëtuar disa atentateve, në njërin prej të cilëve e vdekur mbeti halla e tij. Ai arriti të shpëtonte vetëm me një plumb në krah sepse ishte në oborr kur filluan të shtënat.
Ndërsa në janar të 2022 ai u prangos nga RENEA-s pas një operacioni që çoi në arrest 19 persona, por u la i lirë sërish
Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes. Ai u arrestua më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zenelit mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet.
I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Mariglen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar dhe Prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme për ta shpallur të fajshëm.
Më tej në 12 shtator të vitit 2018, Mariglen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë, pasi Policia arriti të gjente vetëm disa armë pa leje.
Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie, dënimin që e përfundoi në korrik të 2019. Dy muaj më pas e plagosën. Po ashtu, Haka njihet për miqësinë me Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit, i cili e transportoi të plagosur në spital në 2019-ën.
Tashmë që ra në pranga sërish, Marklen Haka do të përballet me drejtësinë shqiptare pasi më 31 gusht u raportua se u arrestua në Dubai aty ku fshihej kohët e fundit.
Teksa ajo që u zbulua nga zbërthimet e Skyy Eç, ku Haka akuzohet se ka tentuar të eliminojë ish mikun e tij, Durim Bamit.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Liqeni i Bacungut”.
Falë inteligjencës policore, shërbimet e DVP Tiranë në bashkëpunim me Repartin Special RENEA, organizuan operacionin për kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu.
Operacioni ishte i një shkalle të lartë vështirësie dhe rrezikshmërie, dhe ka filluar më datë 02.09.2024 dhe është finalizuar sot rreth orës 14:00.
Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu.
Gjatë operacionit janë shoqëruar dhe persona të tjerë të cilët po verifikohen nga strukturat e Policisë.
Në objektin ku është lokalizuar shtetasi Marklen Haka alias Marklen Aliu, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi me vendimin 49/31 datë 15.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë në dëm të shtetasit D. B., kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 78/2, 22, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit penal, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit D. B., kryerja në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a e 334 të Kodit penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.