Në përvjetorin e 25-të të themelimit të Policisë së Kosovës, të pranishmit e dëgjuan për herë të parë Himnin e Policisë së Kosovës. Gjatë kësaj ceremonie, krerët e shtetit folën për rolin e policisë dhe punën e tyre për shtetin dhe qytetarët. Për nder të kësaj dite, u ndanë edhe medalje për partnerët e këtij institucioni në kuadër të bashkëpunimit.
Këta të pranishëm, janë të parët që po e dëgjojnë Himnin e Policisë së Kosovës.
Ai u intonua për herë të parë në përvjetorin e 25-të të themelimit të këtij institucioni.
E pjesë e kësaj feste të premten ishin edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Shefja e shtetit tha se Policia e Kosovës është një nga institucionet më të besueshme në vend.
E shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se zyrtarët e këtij institucioni janë të gatshëm të japin edhe jetën për Kosovën.
Për punën e zyrtarëve policorë foli edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
E drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se për gjithë këto vite Policia e Kosovës ka qenë shtylla e mbrojtjes së qytetarëve.
Gjatë kësaj ceremonie, i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, menaxhmenti i lartë i PK-së e shumë tjerë, si dhe personalitete të agjencive të sigurisë.
Gjithashtu të premten u ndanë edhe medalje për partneritetin dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera të Republikës.