ShowBizzz

Pse duhet ta vësh veten gjithmonë në RADHË TË PARË

Të vendosësh veten në radhë të parë është një zakon i shëndetshëm, i dobishëm dhe i domosdoshëm. Vënia në praktikë e një arti të tillë nuk është një akt egoizmi, sepse të duash personin që sheh në pasqyrë çdo mëngjes, pa justifikime, kufij apo dallime, do të thotë se di të kujdesesh për veten, do të thotë të investosh në jetën personale, mirëqenien dhe cilësinë e mirë të jetës. Ata që kujdesen për veten ashtu siç e meritojnë mund t’u ofrojnë të tjerëve versionin më të mirë të vetes.

Vetë Sokrati në mësimet e tij përqendrohej në konceptin e kujdesit për veten ose epimeleia heautou. Më vonë, Michel Foucault e studioi më tej temën, duke arritur në përfundimin se vetëm kur një person mëson të njohë vërtetë veten, duke iu përkushtuar vetes dhe duke e vlerësuar veten, ai mund të arrijë lirinë e vërtetë.

E vërteta është se nuk e dimë se kur dhe pse na kanë futur në kokë idenë se praktikimi i këtij arti është një akt interesi egoist. Ka pasur një konfuzion me termat, deri në pikën që altruizmi dhe respekti për të tjerët duket sikur bien në kundërshtim me kujdesin ndaj vetes apo vendosjen e vetes në radhë të parë. Kjo është një ide krejtësisht e rreme.

Pa e kuptuar, pra, kemi kultivuar marrëdhënie të bazuara në parimin se sa më shumë u japim të tjerëve, aq më shumë ata na duan dhe na vlerësojnë. Në realitet ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse e braktisim dashurinë për veten në një cep, duke menduar se kemi të drejtë dhe se këtë presin të tjerët nga ne.

Është më mirë të shmangni këtë praktikë të pashëndetshme, ajo shpesh është burim problemesh, zhgënjimesh, ankthi, netësh pagjumësie dhe madje edhe dhimbje fizike.

Ata që nuk e vënë veten në radhë të parë lodhen

Kur një person nuk e vendos veten në radhë të parë për të mbushur axhendën, mendjen dhe vullnetin me mendime si: “duhet të bëj këtë apo atë”, “ata presin më shumë nga unë”, “Unë duhet ta bëj këtë për atë person”, në realitet nuk bën gjë tjetër veçse lodhet. Humb të gjithë energjinë, identitetin, dëshirat dhe mbi të gjitha vetëvlerësimin. Fakti është se ne shpesh i përvetësojmë këto qëndrime pa menduar, pa reflektuar për asnjë moment nëse duam ta bëjmë vërtet atë favor, atë kënaqësi.

Psikologët na shpjegojnë se biem në automatizmin e bërjes, kryerjes, racionalizimit të këtyre veprimeve si diçka të natyrshme dhe të nevojshme. Sepse nëse jemi të dobishëm për të tjerët, atëherë vlejmë diçka. Ky rregull nuk jep gjithmonë rezultatet e dëshiruara, në fakt, ndonjëherë krejt e kundërta.

Në këto raste pasojat janë sa shkatërruese aq edhe trishtuese. Nëse perceptojmë se përpjekjet dhe sakrificat tona të vazhdueshme nuk vlerësohen, ne zhvillojmë një pikëpamje shumë kritike për veten, ndihemi fajtorë për naivitetin tonë, përkushtimin dhe besimin e tepruar ndaj të tjerëve. Ky zë i brendshëm ndonjëherë mund të jetë shumë mizor dhe nuk kërkon shumë kohë që të shfaqen simptoma të tilla si dhimbje muskujsh, lodhje, probleme me tretjen, infeksione, dhimbje koke, rënie flokësh…

Të mësojmë të kujdesemi për veten

Ka shumë njerëz që e gjejnë veten të bllokuar në jetët e njerëzve të tjerë, si lokomotivat që lëvizin nëpër binarët e gabuar. Mbajnë mbi supe ngarkesa që nuk u takojnë dhe nuk i japin vetes asnjë ditë pushim për të qenë vetvetja, për t’u kujdesur për veten, për të kënaqur vetëm dëshirat e tyre. Një situatë e tillë rrezikon ekuilibrin dhe shëndetin tuaj, prandaj është e nevojshme të ndryshoni qasjen.

Si të mësoni të vendosni veten të parët në 4 hapa:

Koha

Njerëzit që nuk e vendosin veten të parët kanë automatizuar përgjigjen “po”. Për çdo pyetje ata përgjigjen me këtë fjalë magjike sikur të ishte e pamundur të kontrollohej. Është e nevojshme t’i jepet fund këtij impulsi, ndaj kur një person na pyet, sugjeron ose urdhëron diçka, para së gjithash duhet të heshtim për një moment. Duhet të shmangim dhënien e një përgjigjeje të menjëhershme dhe t’i japim vetes kohë për të reflektuar dhe vlerësuar me ndershmëri nëse duam ose jo të plotësojmë kërkesën që na bëhet. Le të mësojmë të themi “jo”.

Perspektiva

Për të mësuar të kujdesemi për veten, t’i shërbejmë vetes, është e nevojshme të menaxhojmë distancën, duke e rritur ose shkurtuar atë, me gjithçka që na rrethon. Vjen një moment kur ne automatizojmë nevojën për të bërë, për të bërë, për të bërë deri në pikën e humbjes së perspektivës. Në këtë kuptim, të thuash “jo, nuk mundem” nuk është fundi i botës.

Fraza të dobishme

Nuk është kurrë gabim të mbledhim disa fraza që në momente të caktuara na ndihmojnë të mbrojmë nevojat, identitetin ose kohën tonë. “Më falni, por nuk mund ta bëj atë që më kërkoni tani”, “Faleminderit që menduat për mua, por më duhet kohë për veten”, “Për momentin nuk kam dëshirë të bëj atë që kërkoni nga unë, duhet t’i përkushtohem jetës sime.”

Hiqni dorë nga disa biseda

Të gjithë e dimë se si fillojnë bisedat e caktuara dhe më pas përfundojnë me një kërkesë. Ato biseda të mbushura me mirësi që përfundimisht çojnë në një favor të supozuar që duhet ta përmbushim. Duke qenë se jemi më se të mësuar me këto strategji, duhet të mësojmë t’i mbajmë larg. Le të shmangim lodhjen dhe të kultivojmë vendosmërinë.

Si përfundim, këto 4 aspekte nuk mund të mësohen brenda natës. Ju duhet të keni vullnet dhe të merrni një vendim për t’u kujdesur për veten dhe të kuptoni se të vendosni veten në radhë të parë është në fakt një veprim, i nevojshëm dhe jetik. Me kalimin e kohës, këto strategji bëhen të automatizuara, gjithmonë në emër të respektit për të tjerët dhe për veten. / bota.al


BotaM