Policia e Shtetit ka publikuar masat që ka marrë në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor 2024-2025.
Për të siguruar zhvillimin normal të procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve në ambientet e jashtme dhe në afërsi të shkollave, Policia e Shtetit ka angazhuar Ndihmës Specialistët e Policisë në zona, punonjësit e Policimit në Komunitet, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Policinë Kriminale.
Policia bëri të ditur se përpara fillimit të vitit shkollor është bërë një vlerësim i situatës kriminale në të gjitha qarqet.
Bazuar në këtë vlerësim, strukturat vendore të policisë kanë hartuar Plane Masash me detyra të qarta për kontrollin e territorit, ruajtjen e rendit dhe angazhimin e policisë kriminale dhe rrugore.
Në kuadër të masave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, janë caktuar detyra të detajuara për punonjësit e policisë që shërbejnë pranë shkollave. Prezenca e shtuar e policisë në këto ambiente synon të mbledhë dhe të trajtojë informacionet në kohë reale, duke vepruar shpejt për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në shkolla apo pranë tyre.
Në këtë kontekst, po bashkëpunohet ngushtësisht me Drejtoritë Arsimore Rajonale, drejtuesit e shkollave, stafet mësimore dhe oficerët e sigurisë në shkolla për të garantuar fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për çdo nxënës.
Gjithashtu, në kuadër të Paketës së Sigurisë në Shkolla, strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin po bashkëpunojnë me pushtetin vendor, psikologët, punonjësit socialë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe AKU-në.
Me fillimin e vitit të ri shkollor, Ndihmës Specialistët në zona do të kenë kontakt të përditshëm me oficerët e sigurisë dhe drejtuesit e shkollave.
Edhe Patrullat e Përgjithshme do të jenë të pranishme sipas juridiksionit të tyre.
Policia Rrugore do të ketë një prani të shtuar në akset rrugore, veçanërisht pranë shkollave që ndodhen pranë rrugëve kryesore, si në fillim ashtu edhe në përfundim të procesit mësimor. Do të kryhen kontrolle të vazhdueshme dhe rigoroze për drejtuesit e automjeteve që transportojnë nxënësit, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit të nxënësve.
“Policia e Shtetit, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024-2025, garanton prindërit dhe gjyshërit për një angazhim maksimal në garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor. Urojmë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme suksese të mëtejshme në këtë vit shkollor’, thuhet në një njoftim zyrtar.