Lajme

​Konjufca: Dialogu Kosovë – Serbi në një qorrsokak, nuk po shoh asnjë rrugëdalje

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjuca pas mbledhjes së Kryesisë, para gazetarëve ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, teksa ka thënë se Bashkësia Ndërkombëtare është e njëanshme.

Para gazetarëve pas mbledhjes së Kryesisë, ai tha se dialogu në formatin qysh ka qenë nga viti 2011, e pati arkivolin më 24 shtator, pra kur ndodhi sulmi në Banjskë vitin e kaluar, raporton teve1.info

“Dialogu ndodhet në një qorrsokak prej të cilit nuk po shoh shumë rrugëdalje. Këtij qorrsokaku para së gjithash i ka kontribuar Serbia me veprimet e veta. Unë mendoj që dialogu në formatin qysh ka qenë në vitin 2011, e ka pasë arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë. Ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit në dialogun e Brukselit”, ka thënë Konufca.

Tutje, Konjufca ka thënë se për shkak të njëanshmërisë së Bashkësisë Ndërkombëtare duhet një drejtim i ri.

“I takon Bashkësisë Ndërkombëtare të jetë shumë e përcaktuar se çka dëshiron, nëse dëshiron palë të barabarta në dialog si dy shtete nëse dëshiron edhe ende mendon që principi i marrëveshjes së Ohrit me funksionu palët si shtete sovrane të Kombeve të Bashkuara ashtu siç shkruan. Nëse Bashkësia Ndërkombëtare e ndan mendjen me ec në këtë rrugë, Kosova është e gatshme. A nëse do me i mbyll sytë dhe mos me reagu as kur Serbia i mbyll kufijtë me Kosovës, asnjë reagim nuk e pash nga Brukseli e as nga Bashkësia Ndërkombëtare. Bashkësia është e njëanshme në relacionet mes Kosovës dhe Serbisë për këtë arsye duhet një drejtim krejt i ri”, tha Konjufca.

Tutje, ai tha se për sulmin në Banjskë faktorët ndërkombëtarë kanë qenë shumë të rezervuar.

“Faktorët ndërkombëtar kanë qenë shumë të rezervuar për sa i përket ndarjes dhe shpalosjes së rezultatit të hetimit sa i përket sulmit në Banjskë. Kjo nuk do të thotë që hetimet nuk ekzistojnë dhe nuk do të thotë që raportet nuk ekzistojnë, nuk janë përfunduar”, shtoi ai.