Shëndetësi

Studime për pajisjen që mund të ndihmojë njerëzit me çrregullime të të folurit

Disa njerëz që kanë humbur aftësinë për të folur janë ende në gjendje të vënë në lëvizje kordat e zërit. Siç njofton nga Los Anxhelesi korrespodentja e Zërit të Amerikës Genia Dulot, kërkuesit në Kaliforni po bëjnë përpjekje që të kthejnë këto lëvizje të muskujve në tinguj të dëgjueshëm, duke bërë të mundur që individët e prekur nga çrregullimet e të folurit, të mund të flasin sërish.

Inxhinierë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles po zhvillojnë një pajisje për të kapur sinjalet eketrikë që prodhohen nga dridhja e muskujve të kordave të zërit.

Studiuesi Ziyuan Che po përdor inteligjencën artificiale për të shndërruar këto sinjale në aftësinë për të folur.

“Sinjali elektrik do të përcillet në pjesën e altoparlantit dhe pjesa e altoparlantit do të japë zërin. Pra, i gjithë procesi, nga ndjeshmëria te përpunimi dhe më pas te përcjellja e sinjalit te altoparlanti, realizon qëllimin përfundimtar, t’ju ndihmojë të flisni pa përdorur kordat tuaja vokale”.

Membrana magneto-mekanike që shndërron dridhjet e muskujve të kordave të zërit në sinjale elektrike është e butë dhe e sheshtë, kështu që mund të mbahet lehtësisht.

Kërkuesit përzien grimcat e imëta magnetike me substanca të buta natyrore dhe sintetike prej molekulash të mëdha dhe i dhanë formë duke përdorur teknologjinë tradicionale japoneze Kirigami, thotë studiuesja Jing Xu.

“Ne krijuam shtresën duke përdorur teknikën Kirigami për dhënien e formës, çka e bën atë edhe më të butë”.

Studiuesit po punojnë që inteligjenca artificiale të jetë në gjendje të njohë dridhjet e muskujve të kordave të zërit të njerëzve të ndryshëm. Jun Chen drejton projektin në Shkollën e Inxhinierisë “Samueli”, në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles.

“Dridhja e muskujve tuaj mund të jetë e ndryshme. Ne duhet të sigurohemi që pajisja të jetë në gjendje ta bëjë këtë dallim, para se të përdoret. Dhe më pas do t’i analizojmë sinjalet për të ndërtuar një bazë të dhënash të personalizuar për fjalorin, në bazë individi”.

I krijuar për të ndihmuar njerëzit me çrregullime të ndryshme të të folurit, studiuesi Chen thotë se ka në plan ta testojë pajisjen në leksionet e tij, të cilat mund të zgjasin deri në tre orë dhe ndonjëherë çojnë në sforcim të zërit të tij.