Partia Demokratike do të organizojë një protestë ditën e mërkurë përpara ambienteve të SPAK, ditë që përkon dhe me paraqitjen e kreut të partisë, Sali Berisha në ambientet e Strukturës së Posaçme.
“Ditën e Mërkurë në ora 12:00 kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP. Të mobilizohemi të gjithe maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtsisë”, është mesazhi që ka shkuar në telefonën e demokratëve nga sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.
Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi do të paraqiten në Prokurorinë e Posaçme në orën 14:00 dhe pritet që t’ju komunikohet zyrtarisht akuza për çështjen “Partizani”.
Kreu i Partisë Demokratike prej 8 muajsh ndodhet në arrest shtëpie. Masa e sigurisë ndaj tij u caktua më 30 dhjetor të vitit të shkuar nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK, raporton A2.
Berisha po hetohet nga SPAK pasi ka dyshime se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi gjatë kohës kur drejtonte qeverinë, shkruan A2. Malltezi është një ndër pronarët e truallit ku shtrihej ish-kompleksi sportiv “Partizani”, hapësirë ku aktualisht janë ndërtuar disa komplekse banimi.