Pas vrasjes së dyfishtë në Kurjan të Roskovecit, autori Altin Kuka e ka lënë armën tip kallashnikov në vendin e ngjarjes dhe ka shkuar tek bashkëshortja e tij, e cila po shiste në një treg të fruta perimeve.
Sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News, Anila Sefa mësohet se autori i është drejtuar gruas me fjalët “unë i vrava të dy, po shkoj të dorëzohem në polici”.
Sipas të njëjtave burime, Altin Kuka e ka pranuar para uniformave blu autorësinë e vrasjes së xhaxha e nip, Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, por arsyeja e konfliktit mes tyre akoma nuk është zbardhur.
Referuar informacioneve paraprake, ka qenë një sherr mes dy të rinjve që është bërë shkak për vrasjen e dyfishtë.
Të shtënat ndodhën në një lokal të fshatit, aty ku siç raporton gazetarja Anila Sefa, autori i dyshuar Altin Kuka shkoi bashkë me të birin 21-vjeçar “për t’u sqaruar”.
Zanafilla, të paktën sipas të dhënave të deritanishme, dyshohet të ketë qenë një sherr i ndodhur mes djalit të autorit të dyshuar dhe djalit të njërit prej viktimave, Gramos Kurtajt.
Pas krimit, Altin Kuka u vetëdorëzua, ndërsa djali i tij u vu në pranga në tentativë arratisje në aksin Fier-Berat.
Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa ka mësuar se viktimat, Gramos Kurtaj dhe Lavdimir Kurtaj janë vëllezër gjaku, mirëpo njëri prej tyre është dhuruar tek xhaxhai, ndaj janë të regjistruar në Gjendje Civile si xhaxha dhe nip.
Për krimin e dyfishtë, Policia ka shoqëruar mbi 10 persona për t’i marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen./tvklan.al