Lajme

Osmani përkrah peticionin qytetar për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dhënë përkrahje peticionit qytetar për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes, i cili u dorëzua të martën, në Kuvendin e Kosovës nga shoqëria civile.

Osmani, ka kërkuar nga të gjithë deputetët që ta trajtojnë me prioritet këtë nismë, që në fillim të sesionit vjeshtor.

Sipas presidentes Osmani, pas miratimit të këtij ligji, Kosova do ta ketë një kornizë ligjore e cila do ta trajtojë këtë plagë të shoqërisë dhe shtetit.

“Dorëzimi i sotëm nga shoqëria civile i peticionit për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes, e me mbështetje të mbi 13000 qytetarëve, është hap i duhur në këtë drejtim. I ftoj të gjithë deputetët e Republikës që këtë nismë ta trajtojnë me prioritet që në fillim të sesionit vjeshtor. Pas miratimit të këtij ligji, Republika e Kosovës do ta ketë një kornizë ligjore e cila trajton këtë plagë të shoqërisë dhe shtetit tonë dhe do t’u ofrojë përkrahjen e nevojshme të gjithë atyre që janë duke u përballur në këtë betejë”, ka shkruar ajo në Facebook./teve1.info/