I jepet sot lamtumira e fundit dy vëllezërve, Lavdimir dhe Gramos Kurtaj, që u ekzekutuan me breshëri plumbash nga bashkëfshatari i tyre, Altin Kukaj.
Krimi i dyfishtë ndodhi mesditën e djeshme (10 Shtator), rreth orës 14:00 në fshatin Kurjan të Roskovecit. Përcjellja për në banesën e fundit të dy vëllezërve do të bëhet në orën 15:00 më Roskovec.
Si ndodhi krimi i dyfishtë
Një sherr fëmijësh, një konflikt banal dhe dy të vrarë me breshëri kallashnikovi. Kjo është panorama e një ngjarjeje të trishtë që tronditi mesditën e martës nga fshati Kurjan i Roskovecit, ku 50-vjeçari ka qëlluar pa mëshirë mbi dy vëllezër, miq dhe shokë të tijtë, njerëz me të cilët ndante kafenë e çdo dite.
Ata që i njohin e dinë, ndërkohë edhe pse kanë kaluar disa orë nga ajo masakër, askush nuk di të thotë se si ia arriti ta kryente Altin Kuka, i cili tej të tjerash, thuhet se ndante të njëjtin fat jete me njërin nga viktimat.
Autori është vënë në pranga, pasi është vetëdorëzuar, me të janë shoqëruar edhe dy fëmijët e tij, njëri prej të cilëve thuhet se ishte përfshirë në sherr me djalin e njërit prej viktimave. Dy vëllezërit, njëri 52 vjeç dhe tjetri 46 vjeç, kanë qenë duke pirë kafen e drekës në lokalin në pronësi të tyre, kur në derë ka mbërritur Altini i armatosur.
Ende nuk dihet se cili ka qenë dialogu që kanë bërë shokët për çështjen e ngatërresës së fëmijëve një ditë më parë, por ajo çka ka mbyllur historinë e trishtë është fakti që Altini iu mori jetën me breshëri kallashnikovi.