Lajme

Ngrihet aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë

45 personave iu është ngritur aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se është punuar intensivisht dhe se ka pasur vonesa për shkak të pranimit të rezultateve të ekzaminimeve të kryera jashtë vendi.

“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai.

“Për ta ngritur aktin na u është dashur të presim gjatë, ndoshta edhe një vit. Pranimi i rezultateve të ekzaminimeve që janë kryer jashtë vendit, ishte shkaku kryesor i vonimit të ngritjes së aktakuzës”, shtoi ai.

Naim Abazi, prokuror i rastit, ka thënë se janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
Sipas tij, si dëshmi janë marrë 120 pajisje elektrike, 1266 armë e pajisje të tjera. 

Sfidë në kryerjen e punëve ai e ka cilësuar mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve për shpëlarje parash dhe përdorimin e teknologjive në aktivitetet kriminale nga të akuzuarit.

Abazi ka deklaruar se Prokuroria ka bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe falë bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera, është arritur të sigurohen dëshmi të rëndësishme.

“Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit dhe për të siguruar provat për të ngritur këtë aktakuzë të fuqishme”, ka thënë ai.

Në orët e para të 24 shtatorit të 2023-tës, në fshatin Banjskë të Zveçanit, policia kishte vërejtur se ishin vendosur dy kamionë me anë të cilëve ishte bllokuar rruga.Gjatë ndërhyrjes së policisë, grupi kriminal serbë kishte shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës, me ç’rast ishte vrarë polici heroi Afrim Bunjaku, si dhe ishte plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti. /teve1.info/