Lajme

​Haxhiu kërkon mbështetjen për Byronë: Nuk ka arsye për dërgim në Kushtetuese

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar mbështetje nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme i cili sot është votuar nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Haxhiut nuk ka asnjë arsye të vetme që ky projektligj të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Ky për Qeverinë e Kosovës është një projektligj tejet i rëndësishëm. Ka pas rezistenca shumë të mëdha në mënyrë që mos të lejojnë apo të mos të na lejojnë të jetësojmë këtë ligj, por unë konsideroj se nuk ka asnjë arsye të vetme qoftë edhe teknike që ky projektligj të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, sot iu bëjë thirrje të gjitha grupeve parlamentare sigurisht që ky ka mbështetjen e mazhorancës e ka mbështetjen e grupit parlamentar Lëvizja Vetëvendosje, por është tejet e rëndësishme që të jemi bashkë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe që janë zyrtarët që kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme të japin llogari për këtë dhe kjo pasuri t’u konfiskohet atyre dhe t’i jepet shtetit”, theksoi ajo.

Haxhiu u shpreh se një pjesë e opozitës nuk po dëshirojnë që të luftohet krimi i organizuar.

Madje, duke vënë gishti kah PDK-së tha se kjo parti projektligjin për Byronë nuk e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese me pompozitet ashtu siç kishin bërë me projektligjet tjera.

Haxhiu: Një pjesë e opozitës nuk do që ta luftojë krimin e organizuar

“Ju e mbani mend që kur është kontestuar për herë të parë ky projektligj në Gjykatën Kushtetuese një grup opozitat në këtë rast PDK e ka dërguar në mënyrë tinzare, sepse zakonisht bëjnë pompozitet para Gjykatës Kushtetuese me konferenca për medie tregojnë arsye, por për këtë nuk ka ndodhur kështu e kanë dërguar në gjykatë përmes avokatit të tyre dhe pa pompozitet sepse ata e dinë që qytetarët e Kosovës e duan konceptin e konfiskimit civil dhe po ashtu qytetarët e Kosovës duan që zyrtarët të cilët e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare që kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme vetëm përmes pagave të tyre duhet të japin llogari për këtë….duhet të jemi bashkë në këtë drejtim, por duket që një pjesë e opozitës nuk do që ta luftoj krimin e organizuar dhe të jepet përgjegjësi për atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe kurdo që ndodh”, theksoi Haxhiu.

Sa i takon shkarkimeve për shkak të ikjeve të të burgosurve nga burgjet e Kosovës e para e drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu theksoi se tashmë Inspektorati i MD-së ka vlerësuar se ka pasur neglizhencë të detyrave nga zyrtarët korrektues.

Sipas saj Komisioni disiplinor do të marr masa karshi zyrtarëve që kanë bërë shkelje. Ajo këto komente i bëri në konferencën për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Haxhiu: Inspektorati ka vlerësuar se ka pasur neglizhencës të detyrave

“Ne menjëherë kemi kërkuar nga Inspektorati i ministrisë së Drejtësisë që të bëjë hetim pra inspektim mbi këto raste dhe të kërkoj nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin veprime kudo që konsiderohet se ka neglizhencë apo shkelje. Në disa raste tashmë Inspektorati ka vlerësuar se ka pasur neglizhencë të detyrave, prandaj Komisioni displinor do të merret me gjetjet e inspektoratit dhe do të marr masat për zyrtarët që kanë qenë të përfshirë në këto shkelje”, u shpreh Haxhiu.

E pyetur për shkarkimin e ambasadorit e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj Haxhiu tha se nuk ka çka të shton tjetër përveç asaj që kanë thënë në vazhdimësi.

Haxhiu: Nuk ka pas as keqpërdorim të detyrës zyrtare e as pasurinë të pabazë

“Ka pasur një komision hetimor që zgjodhi asgjë, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kihen parasysh këto aspekte dhe në anën tjetër vlerësojmë se nuk ka pasur as keqpërdorim të detyrës zyrtare, as pasurim të pabazë dhe asnjë ndonjë përfitim material”, deklaroi ministrja e Drejtësisë.