Lajme

​Konjufca për aktakuzën e ngritur në rastin Banjska: Më mirë vonë se kurrë

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka komentuar ngritjen e aktakuzës për sulmin terrorist në Banjskë.

Ai tha se është lajm i mirë, teksa shtoi se “më mirë vonë se kurrë”.

“Ky po që është një lajm i mirë dhe një lajm për të cilën nuk dua të jap kritikat. Kësaj i shkon një frazë që ‘më mirë vonë se kurrë’ dhe kështu ka ndodhur”, tha Konjufca.

Teksa foli për procesin e dialogut, Konjufca shtoi se në këtë proces Kosova nuk është e barabartë.

“Serbia favorizohet dukshëm në procesin e dialogut. E kemi parë gjithmonë dhe po vazhdojmë ta shohim edhe sot”, shtoi Konjufca.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se sot është ngritur aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.